Dade: Kërkesat për zgjedhjet, në një linjë me vëzhguesit
Sekretarja për marrëdhëniet ndërkombëtare në Partinë Socialiste, Arta Dade, ripërsëriti dje qëndrimin e vendosur të opozitës për kushtet që diktojnë marrëdhënien me Kuvendin. Një institucion që sipas saj ka dalë nga deformimi i vullnetit të votuesit përmes vjedhjes së votave dhe mandateve të mbetura peng në kutitë që duhen rinumëruar dhe materialet zgjedhore që duhen rishqyrtuar. "Kërkesa e Partisë Socialiste është ligjore dhe konform detyrimit për transparencë ndaj publikut dhe ndaj votuesve shqiptarë, si edhe në linjë me konstatimin e vëzhguesve ndërkombëtarë që në një të tretën e zonave zgjedhore procesi i numërimit është kryer keq ose shumë keq", u shpreh Dade. Ajo këmbënguli në faktin se Sali Berisha duhet t‘u shpjegojë shqiptarëve arsyen e vërtetë të këmbënguljes për të penguar hapjen e kutive e për të bërë transparencën e materialeve zgjedhore në ato zona që ne kemi kërkuar rinumërim. "Shqiptarët e meritojnë transparencën për zgjedhjet edhe si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s dhe që aspiron integrimin në Bashkimin Europian", theksoi Dade. Drejtuesja socialiste vlerësoi sakaq se vjedhja e votës, korrupsioni elektoral dhe mungesa e transparencës rreth procesit zgjedhor në Shqipëri duhet të marrë fund dhe kjo do të bëhet vetëm përmes hapjes së kutive që mbajnë peng mandatet e vërteta të të zgjedhurve nga populli. Një nga kushtet e socialistëve për t‘u rikthyer në Kuvend është garantimi i transparencës së nevojshme për të gjitha pretendimet për shkelje dhe parregullsi të zgjedhjeve të 29 qershorit 2009, nëpërmjet administrimit të çdo materiali zyrtar, dëshmie apo dokumenti që lidhet me zgjedhjet, përfshirë materialet zgjedhore që ndodhen në kutitë e votimit. PS kërkon identifikimin e përgjegjësive të të gjithë zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë apo administratës së burgjeve që në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, kanë pajisur me leje lirimi të përkohshme gjatë periudhës elektorale 29 maj-28 qershor 2009 persona të dënuar. Opozita synon evidentimin dhe rikthimin në pozicionin e mëparshëm të punës të të gjithë punonjësve të shtetit në administratën vendore e qendrore ose në çdo ent publik, të pushuar nga puna apo transferuar gjatë dhe pas fushatës zgjedhore, për shkak se kanë marrë pjesë si përfaqësues të opozitës në komisione zgjedhore, apo nuk u janë bindur urdhrave për të marrë pjesë në veprimtarinë politike të Partisë Demokratike dhe qeverisë së saj.