Topalli: Rama nuk e bllokon dot Kuvendin
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i ka bërë thirrje opozitës që të rikthehet në Kuvend për të respektuar votën e socialistëve që e votuan më 28 qershor. Ajo ka kritikuar kryetarin socialist në detyrë, Edi Rama, se po përpiqet të krijojë ngërçe institucionale me vendimin për bojkotin e Kuvendit. Topalli theksoi se "unë nuk e shoh Ramën si pjesë të grupit parlamentar të PS-së, po kështu edhe Gjinushin e Ndokën, të cilët janë jashtë tij". Ndaj, ka shtuar ajo, këta nuk mund t‘i pengojnë proceset integruese të Shqipërisë dhe nuk mund t‘ua heqin shqiptarëve të drejtën e liberalizmit të vizave. Këto komente Topalli i ka bërë gjatë një takimi të zhvilluar në Postribë, ku ka qenë e ftuar në përkujtimin e kryengritjes së parë antikomuniste në Europë. Kjo është vizita e parë që Topalli bën si Kryetare e Kuvendit të ri pas marrjes së detyrës në seancën e së martës. Për Kryetaren e Kuvendit, përkujtimi i kësaj dite është një emocion i veçantë dhe një krenari shumë speciale. "Gjatë këtyre ditëve, jam e sigurt që edhe ju keni ndjekur në media përkujtimin që i është bërë rrëzimit të komunizmit, fillimit të lëvizjes anti-komuniste në Europë, në Hungari, në Çeki. Në muajt e ardhshëm, në fillim të nëntorit, një përkujtim i madh, një ngjarje e madhe dhe ceremoni e veçantë do të jetë rrëzimi i Murit të Berlinit. Por, unë them se ne shqiptarët, ju nga Postriba, jeni më krenarët nga të gjithë, pasi keni qenë të parët në rrëzimin e komunizmit. Keni qenë të parët që keni kërkuar lirinë", nënvizoi Topalli. Më tej ajo ka shtuar se "nuk ka krenari më të madhe sesa të jesh i pari në një betejë që është gati një betejë me të pamundurën. Nuk ka krenari më të madhe sesa të jesh pjesë e atyre familjeve që vërtet sakrifikuan, që vendosën jetën e tyre në themel të asaj që do të ishte liria e të gjithë shqiptarëve". Duke folur mbi sfidat e katërvjeçarit të ardhshëm, Kryetarja e Kuvendit theksoi se kjo legjislaturë nis në një stad më të lartë se ajo e katër viteve më parë. Ajo falënderoi çdo burrë, çdo grua, çdo vajzë e djalë të ri, që i kanë besuar projektit të Shqipërisë Europiane. "Unë, tha Topalli, jam e sigurt se ky katërvjeçar do të jetë një katërvjeçar i jashtëzakonshëm, por jam edhe një optimiste e madhe, si asnjëherë tjetër. Ndryshe nga katërvjeçari i parë, ne po fillojmë në një orbitë tjetër, në një orbitë me rreze më të gjatë. Ne nuk fillojmë aty ku ishim, në një Shqipëri të zhytur në korrupsion, në një Shqipëri pa drita, pa rrugë, pa asnjë perspektivë", tha Topalli.