Dade: Kryetarja e Kuvendit bën diversion me opozitën
Reagimi
Sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare: Ka emëruar sipas orekseve të saj anëtarët në KiE
Sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë, në selinë rozë, Arta Dade, akuzoi dje Kryetaren e Kuvendit se ka dhunuar e njëkohësisht bërë diversion me të drejtat e opozitës për përfaqësimin e saj në Asamblenë parlamentare të Këshillit të Europës. Dade tha se Topalli, në mënyrë të përsëritur, vazhdon diversionet dhe dhunimin e të drejtave të opozitës, përmes shkeljes flagrante të rregullores, për emërimin e delegacioneve të përhershme në asambletë e organizmave ku Shqipëria bën pjesë dhe përkatësisht në Asamblenë parlamentare të Këshillit të Europës. “Kjo nuk përbën lajm, sepse vjet zonja Topalli dhunoi të drejtat e përfaqësuesve të Partisë Demokratike në Asamblenë parlamentare të Këshillit të Europës, kurse këtë vit Jozefina ka emëruar sipas orekseve të saj anëtarët dhe ka grabitur vendet që u përkasin përfaqësuesve të opozitës në delegacionin parlamentar në Asamblenë parlamentare të Këshillit të Europës”, deklaroi Dade. Ajo theksoi se në mënyrë flagrante zonja Topalli ka bërë edhe emërimin e anëtarëve të Parlamentit që parashikohen si zëvendësues të delegacionit kryesor. Deputetja socialiste vuri në dukje se këto veprime të Kryetares së Kuvendit bien ndesh me gjithë rekomandimet e rezolutës më të fundit të Asamblesë parlamentare të KiE-s. “Kjo në këndvështrimin e opozitës është e papranueshme dhe e dënueshme, dhe sigurisht bie ndesh me sugjerimet që vijnë pikërisht në draft-rezolutën e fundit të Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës përmes komisionit të monitorimit, të cilët bëjnë thirrje që kriza politike duhet zgjidhur përmes dialogut”, u shpreh Dade. Sipas saj, aktet e Jozefina Topallit jo vetëm që nuk u shërbejnë uljeve të tensioneve, por përkundrazi japin një mesazh tejet negativ lidhur me angazhimin që duhet të manifestojë kjo mazhorancë lidhur me zgjidhjen e krizës. Dade citoi draft-raportin e komisionit të monitorimit, duke u shprehur se delegacioni i Kuvendit të Shqipërisë në Asamblenë parlamentare të Këshillit të Europës, pra delegacioni që ka qenë dhe ka pasur mandatin deri në dhjetor të vitit 2009, nuk mund të jetë sërish i njëjti delegacion. “Për këtë arsye, që nesër në Asamblenë parlamentare të Këshillit të Europës do të verifikohen kredencialet e delegacionit shqiptar. Në këtë rast, zonja Topalli duhet të kishte lënë bosh dy vendet që i përkasin opozitës. Më lejoni t’u kujtoj që kur opozita ka qenë më e vogël në vlerë numerike, ka pasur dy përfaqësues në delegacionin kryesor dhe respektivisht Kastriot Islamin dhe Paskal Milon”, deklaroi Dade. Ajo nënvizoi se nuk ka asnjë arsye që tani të lihet vetëm një vend, por përkundrazi të ketë minimalja dy vende për t’u përfaqësuar opozita shqiptare. “Jozefina Topalli as nuk mund të emërojë opozitën dhe as nuk mund të përcaktojë kush do ta përfaqësojë opozitën në këto delegacione të nderuara të asambleve respektive të organizmave që ne jemi anëtarë me të drejta të plota”, ngulmoi Dade. Sakaq, ajo bëri me dije se PS e vendos vetë se kur do të përfaqësohet në Asamblenë parlamentare të Këshillit të Europës. “PS përsërit qëndrimin e vet dhe është vetëm e drejtë e PS-së se si do t’i mbajë kontaktet pikërisht me këto grupime mjaft dinjitoze të organizmave ku ne bëjmë pjesë”, përfundoi ajo.
#