E Diel, 1 Nëntor 2026

Hidhet në Seman të kapë rosën, mbytet 30-vjeçari

Fier
I riu kishte dalë me të atin për të peshkuar. Vazhdojnë kërkimet për gjetjen e trupit

Hidhet në ujërat e lumit Seman për të kapur një rosë të egër, mbytet një 30-vjeçar nga Fieri. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:15 të së dielës, kur Erion Korobaci, bashkë me të atin, ishin duke peshkuar pranë urës së Mbrostarit në rrugën kombëtare Fier-Lushnjë. Babë e bir kishin disa orë që kishin dalë për të peshkuar, kur djali ka parë në sipërfaqen e ujit një rosë të egër. Sapo ka pikasur shpendin, 30-vjeçari ka harruar karremin e peshkut dhe është hedhur në ujë, por pa mundur të dalë më në sipërfaqe. Djali është rrëmbyer nga rrjedha e ujit dhe dyshohet të jetë mbytur. I ati ka lëshuar alarmin duke kërkuar ndihmën e policisë dhe të kalimtarëve që u ndodhën në atë moment në vendngjarje. Salla e komandës në Komisariatin e policisë Fier është njoftuar se një person është hedhur në ujërat e lumit Seman. Fillimisht është dyshuar për një vetëvrasje, por më pas janë sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe kanë nisur kërkimet për gjetjen e të riut. Fillimisht në vendin e ngjarjes ka mbërritur patrulla më e afërt e policisë, që rastësisht po patrullonte në rrugën e Sheqit për një aksident të ndodhur atje. Një prej policëve të patrullës ka përshkuar brigjet e lumit Seman në një gjatësi për afro 3 km, kurse polici tjetër ka qëndruar mbi urë për të shmangur një kaos të mundshëm të trafikut mbi urë.
Gjithashtu pranë vendit të ngjarjes kanë mbërritur dhe mjaft banorë të lagjes “Sheq i madh”, lagje kjo që përshkohet nga lumi Seman. Personi që njoftoi policinë mësohet se është një punonjës i një firme që përpunon inerte e që ndodhet pranë brigjeve të lumit. Punëtori i firmës ka dëshmuar për policinë se “një djalë rreth të 30-ve u hodh në lumë, pasi qëndroi për pak kohë në brigje”. Rreth orës 14:00 në vendin e ngjarjes kanë mbërritur krerët e drejtorisë së policisë Qarku Fier, të cilët kanë urdhëruar kontrollin e gjithë gjatësisë së lumit. Lumi Seman derdhet në detin Adriatik dhe kontrolli ka vijuar deri në grykëderdhje, ku bashkohet lumi me detin. I riu nuk është gjetur deri në orët e vona të mbrëmjes. Burimet zyrtare të policisë së Fierit bëjnë të ditur se po punohet për gjetjen e 30-vjeçarit Erion Korobaci, banor i lagjes “Sheq i Madh” të Fierit. “Ai ka qenë së bashku me të atin për të peshkuar në brigjet e lumit Seman. Lumi ndodhet shumë pranë lagjes ku ata banojnë, lagjes “Sheq i madh”. Operacionet e kërkimit do të vijojnë deri në gjetjen e të riut”, saktësojnë burimet zyrtare të policisë lokale.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›