E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në tetor-dhjetor u nxor 7200 fuçi naftë në ditë

Patos

Prodhimi i naftës në zonën e Patos-Marinzës u rrit në 7200 fuçi në ditë (rreth 1200 tonë) mesatarisht gjatë tremujorit të fundit të vitit 2009, duke shënuar nivelin më të lartë në një dekadë si dhe një rritje me 16 për qind kundrejt tremujorit të tretë, kur qenë prodhuar rreth 6300 fuçi në ditë. Një fuçi naftë ka përafërsisht 159 litra. çmimi mesatar i naftës së nxjerrë nga kjo zonë gjatë tremujorit të fundit ishte 45 dollarë për fuçi, çmim ky i barabartë me 61 për qind të çmimit të naftës së Detit të Veriut që shitet në bursën e Londrës. Dhjetë puse që më herët qenë braktisur nga “Albpetrol” për mungesë fondesh, u riaktivizuan pasi u dhanë me koncesion te kompanitë private dhe u rivendosën në punë. Rreth 60 puse të reja për nxjerrjen e naftës pritet të hapen në Shqipëri gjatë këtij viti, në kuadër të një plani investimi prej 150 milionë dollarësh. Programi synon që të rritet prodhimi i naftës bruto deri në 15 mijë fuçi në ditë gjatë vitit 2010. Pjesa dërrmuese e naftës që nxirret në Shqipëri nga kompanitë koncesionare u shitet për përpunim rafinerive jashtë vendit, ndërsa një pjesë i kalon “Albpetrolit” në formën e rentës minerare.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›