E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionistët, shpallen datat e marrjes së shpërblimit



Grafiku i plotë i shpërndarjes së shpërblimit

Përfitojnë edhe ata që marrin pensione suplementare

Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka shpërndarë dje grafikun e plotë të dhënies së shpërblimit për pensionistët. Në këtë mënyrë, të gjithë ata pensionistë që e kanë marrë pensionin e tyre të dhjetorit, do të mund të shkojnë pranë arkave çdo ditë pas orës 13, sipas grafikut në fjalë. Këtë vit, për herë të parë, do të marrin shpërblim edhe ata që përfitojnë pension të parakohshëm, si ushtarakë, policë, apo punonjës të SHISH-it.

Grafiku i shpërndarjes

Pensionistët do të mund të tërheqin shpërblimin së bashku me rrogën për ata që marrin pensionin gjatë këtyre ditëve ose pas orës 1 çdo ditë, sipas grafikut të shpërndarjes.

“Për të mos krijuar probleme në shpërndarjen e pensioneve, si dhe përfundimin e dhënies së këtij shpërblimi, ISSH-ja ka hartuar një grafik, i cili do të mundësojë shpërndarjen pa probleme të tij. Sipas këtij grafiku, pensionistët do të marrin pensionin në datën e caktuar, si dhe shpërblimin përkatës, ndërkohë që pas orës 13.00, do të jepet pensioni për ata pensionistë që u ka kaluar data e pensionit”, – bën të ditur Instituti i Sigurimeve Shoqërore.

Sipas ISSH-së, duke filluar nga data 23 dhjetor do e marrin personat që kanë datën e tërheqjes së pensionit, ndërsa pas orës 13:00 do të marrin shpërblimin pensionistët që e kanë marrë pensionin në datën 1, 2 dhe 3 dhjetor. “Pra, me këtë grafik do të punohet deri në përfundimin e shpërndarjes së masës prej 5 mijë lekësh deri në fund të muajit dhjetor, që shpërblimi të merret nga pensionistët para festave të fundvitit”, – deklaroi ISSH-ja.

Përfituesit

Për herë të parë këtë vit, do të përfitojnë shpërblim, përveç personave që marrin pension pleqërie, edhe ata që marrin pension të parakohshëm, si ushtarakë, policë dhe punonjës të SHISH-it. “Këtë vit ky shpërblim do të shpërndahet edhe për personat që marrin pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi si ushtarakë, punonjës të Policisë së Shtetit dhe të Shërbimit Informativ Shtetëror”, – njoftoi instituti.

Të gjithë pensionistët nuk duhet të kenë frikë për humbjen e shpërblimit edhe nëse nuk e tërheqin në datat e përcaktuara. Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore, ata mund të tërheqin pensionin edhe gjatë vitit të ri.

“Instituti i Sigurimeve Shoqërore thekson edhe një herë se asnjë prej pensionistëve nuk duhet të shqetësohet, pasi do të mund të marrë para Vitit të Ri shpërblimin e përcaktuar nga qeveria. Gjithashtu, theksojmë edhe një herë faktin se të gjithë ata që nuk do të arrijnë ta tërheqin shpërblimin gjatë këtyre ditëve, do të mund ta tërheqin atë kur të marrin pensionin gjatë muajve në vazhdim”, – bëri të ditur ISSH-ja.

Pensionistët përfitojnë 5 mijë lekë të reja shpërblim, sipas vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave. Në tërësi janë 550 mijë përfitues, që do të marrin shpërblimin për festat e fundvitit.

Grafiku i shpërndarjes:

23 dhjetor, ata që kanë marrë pensionin më 1, 2 dhe 3 dhjetor

24 dhjetor, ata që kanë marrë pensionin më 4, 5 dhe 6 dhjetor

25 dhjetor, ata që kanë marrë pensionin më 7, 8 dhe 9 dhjetor

26 dhjetor, ata që kanë marrë pensionin më 10, 11 dhe 12 dhjetor

27 dhjetor, ata që kanë marrë pensionin më 13,14 dhe 15 dhjetor

28 dhjetor, ata që kanë marrë pensionin më 16, 17 dhe 18 dhjetor

29 dhjetor, ata që kanë marrë pensionin më 19 dhe 20 dhjetor

30 dhjetor, ata që kanë marrë pensionin më 21dhe 22 dhjetor

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›