Vasili: Të miratohet një plan antikrizë në Parlament
Lëvizja Socialiste për Integrim vlerësoi dje se qëndrimi i deritanishëm i qeverisë lidhur me krizën ekonomike është tepër larg realitetit të zhvillimeve ekonomike të rënda në Shqipëri. Sipas sekretarit të përgjithshëm, Petrit Vasili, qëndrimi i saj demagogjik për gjoja paprekshmërinë e vendit tonë nga kriza është një premisë thellësisht e rrezikshme për të ardhmen e vendit. "Qeveria e Sali Berishës është e vetmja qeveri në rajon dhe në botë që nuk ka bërë publike asnjë plan antikrizë në një kohë që bizneset po japin alarmin duke ulur ndjeshëm prodhimin, xhiron e tyre e për rrjedhojë edhe fitimet duke shkaktuar edhe falimentimin mjaft prej tyre", u shpreh Vasili. LSI i kërkoi qeverisë të bëjë publike në mënyrë të menjëhershme planin antikrizë nëse ka të tillë, të bëjë publikë sektorët e ekonomisë që janë më të rrezikuar dhe që duhet mbështetur, iniciativat fiskale që do të përdoren dhe masa e tyre, përpara se sa të jemi shumë vonë dhe kriza të jetë thellësisht e pamenaxhueshme", nënvizoi Vasili.