E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëshen-Kalimash, Braçe: “Prokuroria, shpjegim pse nuk po heton”

Autori i Lajmit: Redaksia
Partia Socialiste kërkon nga Prokuroria e Përgjithshme që të nisë hetimet për rrugën Durrës-Kukës dhe tunelin e Thirrës, i shembur ditë më parë. “Ne e konsiderojmë të papranueshme heshtjen e Prokurorisë, e cila nuk duhet të veprojë vetëm në raste vdekjesh. Duam shpjegim se përse Prokuroria nuk bën hetim për këtë krim ekonomik kolosal. Në emër të qytetarëve dhe taksapaguesve kërkojmë me forcë një shpjegim publik nga prokuroria për arsyen e moshetimit në vendngjarje”, - u shpreh dje deputeti socialist, Erjon Braçe. Sipas deputetit socialist, me heshtjen e saj, Prokuroria po tregon se është nënshtruar para Qeverisë. “Mungesa e mëtejme e Prokurorisë në kryerjen e veprimeve të domosdoshme hetimore po shton dyshimet e arsyeshme për nënshtrimin e saj, daljen jashtë funksionit për shkak të dhunës që vjen nga kultura qeveritare e pakundërshtueshmërisë”, - tha ai. Ligjvënësi socialist ka atakuar dhe kryeministrin Berisha, ndërsa ka pohuar se heshtja e tij shton bindjen se përurimi elektoral i rrugës ka qenë mashtrimi më i madh në 13 vitet e fundit, i barasvlerave me mashtrimin historik të skemave piramidale. Sipas tij, fatura financiare e kësaj manovre elektorale, e denoncuar botërisht nga institucionet kushtetuese, ligjzbatuese të këtij vendi, po arrin në vlerën e 1 miliard eurove me taksa! “Fatura financiare pritet të fryhet edhe me 1/3 e parave të paguara deri tani, minimumi për shkak të manovrës elektorale dhe dëmit kolosal të ardhur prej saj. Paratë e përdorura për këtë qëllim, përbëjnë një dëm kolosal ekonomik për buxhetin e shtetit, boshatisja e të cilit edhe për këtë shkak po shtyn drejt falimentit ekonominë e vendit, po nxjerr në pah pamundësinë financiare të qeverisë për të shlyer faturat e borxheve joligjore, krijuar nga nevoja elektorale, për të paguar detyrimet ligjore ndaj kategorive në nevojë, të papunë, invalidë, etj”, - shtoi ai. Më tej, duke shtuar faktet që, sipas tij, bëjnë të domosdoshëm hetimin, Braçe tha se kontrata mes Qeverisë e kompanisë Bektel-Enca, definicionet në të, përcaktojnë qartë shkakun formal të këtij krimi ekonomik, përgjegjësit dhe burimin e financimit të dëmit të shkaktuar në këtë rast.
“Porositësi duhet të përdorë pjesët përkatëse të segmentit të tretë të punimeve kur tuneli është i disponueshëm për përdorim të sigurt për një korsi të trafikut në secilin drejtim. Përndryshe porositësi nuk duhet të përdorë ndonjë pjesë të punimeve, derisa inxhinieri të ketë lëshuar vërtetimin për marrjen në dorëzim për atë pjesë. Nëse sipërmarrësi pëson kosto si rrjedhojë e marrjes në dorëzim nga porositësi dhe/ose nga përdorimi i një pjesë të punimeve, sipërmarrësi duhet të njoftojë inxhinierin, të gëzojë të drejtat sipas nenit 20.1. pretendimet e sipërmarrësit për pagesën e këtyre kostove, plus përfitimin, i cili do ti shtohet çmimit të kontratës. Pas marrjes së njoftimit, inxhinieri duhet të veprojë sipas nenit 3.5 (përcaktimet), për të pranuar ose përcaktuar koston dhe përfitimin”, - citon Braçe kontratën mes firmës kontraktuese dhe Qeverisë. Lidhur me deklaratat e Berishës, ai pohoi se “Kryeministri po ecën në një rrugë, që normalisht të çon në shpërndarjen e Parlamentit dhe shpërndarja e Parlamentit çon në zgjedhje të parakohshme. Urojmë që Kryeministri ti shkojë kësaj rruge”.

Ky lajm është publikuar: 01/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›