E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dade: PD po largon mbështetësit e PS nga administrata

 

Partia Socialiste akuzon partinë në pushtet për presione dhe shkarkime të anëtarëve të saj të komisioneve të zgjedhjeve të 28 qershorit. Sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Arta Dade, denoncoi gjobat dhe pushimet nga puna ndaj personave që mbështetën PS-në në zgjedhje, ndërsa paralajmëroi se gjithçka i është raportuar organizmave ndërkombëtarë. “Struktura të specializuara të Ministrisë së Financave vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi mbështetësit e Partisë Socialiste, pa kursyer as kandidatët për deputetë. Ne këto shqetësime i kemi ndarë me ndërkombëtarët, të cilët nga ana e tyre kanë bërë verifikimet përkatëse. Që javën e parë pas zgjedhjeve të 28 qershorit, largimet nga puna rezultojnë më të mëdha se ajo që i është vënë në dispozicion trupit diplomatik nga ana e PS-së”, theksoi Dade.
Zyrtarja socialiste pohoi se PS i ka dërguar trupit diplomatik dosjen zgjedhore me problemet dhe parregullsitë, ndërsa presin raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR, lidhur me zbardhjen e procesit shumë të kundërshtuar prej tyre. “Ne presim me qetësi raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR për të pasur më në konsideratë atë çka ata do të shprehin, por gjithsesi edhe për të artikuluar veprimin tonë politik. Unë kam qenë këto ditë në takime me përfaqësues të trupit diplomatik dhe sigurisht materiali që ne ju kemi vënë atyre në dispozicion është duke u studiuar prej tyre, njëkohësisht materiali është dërguar në të gjithë partnerët edhe parlamentet, sikurse është Asambleja Parlamentare e OSBE-së, Asambleja Parlamentare e NATO-s, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, përfshirë këtu edhe partnerët tanë të grupimeve socialiste dhe Social-Demokrate, brenda këtyre organizmave. Materiali që ne u kemi vënë atyre në dispozicion është duke u studiuar prej tyre”, deklaroi Dade.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›