Taçi luan blofin me Bolonjën
Jetmir Halilaj
Ka dështuar blerja e Bolonjës nga Rezart Taçi. Biznesmeni shqiptar ka vendosur të tërhiqet në momentet e fundit, duke mos dashur të firmosë kontratën e blerjes. Lajmi i konfirmuar nga mediat italiane dhe nga zyra për shtyp e kompanisë së karburanteve "Taçi Oil", ka shkaktuar një valë reagimesh e komentesh nga më të ndryshmet në median e vendit fqinj.
Paratë
Shtypi italian ka hedhur hipotezën se kjo mund të ishte një manovër nga ana e biznesmenit shqiptar për të ulur akoma më shumë çmimin e aksioneve që ai kishte ndërmend të blinte te Bolonja. Sipas të përditshmes "Il Resto del Carlino", Taçi, pasi ka parë bilancet e klubit, ka vendosur që të kërkojë ulje të çmimit, për t'i blerë më lirë aksionet, por kjo nuk është pranuar nga pronarët e Bolonjës, që është familja e Renco Menarinit. "Nuk dihet ende me saktësi nëse bilancet e Bolonjës kanë detyruar biznesmenin shqiptar që të ulte ofertën, apo nëse ky i fundit në momentin kur duhej të firmoste ka ndryshuar pazarin duke kërkuar ulje çmimi, çka e ka detyruar Menarinin që të mbetet sërish pronar, ndonëse ai kishte menduar se gjithçka kishte përfunduar. Sipas të gjitha gjasave, pista e dytë është më e mundshme", shkruan prestigjiozja italiane, "Il Resto del Carlino". Menjëherë sapo është përhapur lajmi se Taçi është tërhequr dhe se nuk ka ndërmend që të blejë klubin e Bolonjës, kanë nisur hipoteza dhe hamendësime nga më të ndryshmet e më të çuditshmet. Gjithsesi, motivi kryesor duket se është bilanci i klubit të Bolonjës, që ka ndikuar në tërheqjen e Rezart Taçit. Zyra për shtyp e kompanisë "Taçi Oil" ka konfirmuar se problemi kryesor ishin bilancet e klubit, por nuk ka dashur të japë detaje rreth kësaj çështjeje.
Prapaskenat
Rezart Taçi duhet të prezantohej zyrtarisht si presidenti i klubit të Bolonjës më 3 gusht, por kjo gjë nuk ka ndodhur. Një ditë më parë (2 gusht), një nga bashkëpunëtorët e Taçit, Xhuzepe de Mita, ka dalë para mediave në hotel "Baljoni" në Bolonja, duke iu konfirmuar gazetarëve: "Nesër të jeni këtu për prezantimin e presidentit të ri". Vetëm pak orë më pas ka dalë motra e biznesmenit shqiptar, Anika, e cila ka deklaruar: "Kemi një problem. Nesër nuk do të bëhet asnjë prezantim". Media fillimisht ka bërë të ditur se vonesa ishte shkaktuar prej disa procedurave burokratike, por ka qenë vetë klubi i Bolonjës që të hënën në mbrëmje ka nxjerrë një komunikatë, ku shprehte shqetësim për situatën e krijuar, pasi Taçi kishte lënë të kuptohej se nuk kishte më interes për të blerë klubin e Serisë A.
Biznesmeni "Me Bolonjën e mbyllëm"
Biznesmeni shqiptar, Rezart Taçi, ka pohuar se marrëdhëniet e tij me klubin e Bolonjës janë ndërprerë dhe se nuk do ta blejë skuadrën e Serisë A. "Mund t'ju konfirmoj se i kemi mbyllur zyrtarisht bisedimet me klubin e Bolonjës, por motivet zyrtare të këtij vendimi nuk mund t'i bëjmë publike tani, - ka thënë Taçi për 'Top Channel'. - Gjithsesi ne mbetemi të interesuar për futbollin italian dhe për çështje të energjetikës në këtë vend". Media italiane ka aluduar se Taçi ka ndërruar kurs pas takimit që ka pasur disa ditë më parë me kryeministrin italian, Silvio Berluskoni, ndonëse biznesmeni e ka hedhur poshtë këtë. "Ju mendoni se me aq ngarkesë sa ka zoti Berluskoni, ka kohë që të bisedojë edhe për futboll?!", është shprehur Taçi, duke lënë të kuptohet se kjo çështje nuk është diskutuar fare mes tij dhe presidentit të Milanit.