E Diel, 1 Nëntor 2026

Emigrantët, Olldashi: Nga 15 gushti do njihen patentat edhe në Itali

 

Nga 15 gushti i këtij viti, të gjithë emigrantët shqiptarë që jetojnë në Itali, mund të përdorin patentën shqiptare, pa pasur nevojë për atë italiane. Ministri i Transportit, Sokol Olldashi, e njoftoi dje personalisht hyrjen në fuqi të vendimit, “Në lidhje me konvertimin e lejeve të drejtimit” të shtetasve të vendeve respektive, edhe në shtetin italian. “Kjo marrëveshje parashikon njohjen në mënyrë të ndërsjellë, me qëllim konvertimin e lejeve të drejtimit, për mbajtësit e këtyre lejeve që marrin rezidencën në territorin e shteteve përkatëse. Nga kjo  marrëveshje përfitojnë 500 mijë shqiptarë që janë rezidentë të përhershëm në Itali”. Duke u ndalur te kushtet që duhen plotësuar, ministri nënvizoi, se konvertimi kërkon përkthimin zyrtar të lejeve të drejtimit dhe të fotokopjes së saj. Veprimet për konvertimin e lejes së drejtimit duhet të kryhen brenda afatit njëvjeçar nga marrja e rezidencës. “Nëse mbajtësi i lejes së drejtimit të lëshuar nga Autoriteti shqiptar ose italian vendos rezidencën në territorin e Palës tjetër,  mund ta konvertoj lejen e drejtimit pa iu dashur të japë provimin teorik ose praktik, me përjashtim të rrethanave të veçanta”. Sipas marrëveshjes, mbajtësi i lejes shqiptare të drejtimit, që është rezident në Itali, për më shumë se 4 vjet, e konverton lejen e drejtimit, duke ju nënshtruar provimeve në rastet kur nuk kanë drejtuar mjete për një periudhë 3- vjeçare. “Është një marrëveshje shumë e rëndësishme dhe e kërkuar  nga komuniteti i emigrantëve në territorin italian. Falënderoj stafet e Ministrisë të Transportit, qoftë të Shqipërisë, qoftë të Italisë, për punën e madhe që kanë bërë për këtë marrëveshje, ambasadat, Ambasadën tonë në Romë dhe Ambasadën Italiane në Tiranë, për ndërmjetësimin që kanë bërë për negocim dhe ndjekjen në çdo fazë të kësaj marrëveshje, si dhe trupat legjislative për afrimin e shpejtë që i kanë bërë asaj. Duke shpresuar që me këtë marrëveshje i jepet një kontribut i qenësishëm lehtësimit të kushteve të operimit të emigrantëve shqiptarë në Itali, do të vazhdojmë çdo përpjekje  për të bërë të njëjtën gjë dhe me shtetet e tjera ku ka emigrantë shqiptarë, për të lehtësuar procedurat me të cilat ato njohin dokumentet e tyre në territorin e vendeve respektive”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›