Ristani: Subashi, qëndrim me interesa partiake për zgjedhjet
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, e cilëson tërësisht partiak qëndrimin e nënkryetares Dëshira Subashi, për akuzat e lëshuara dy ditë më parë për Kolegjin Zgjedhor. Në një prononcim për median, Ristani u shpreh “se në vlerësimin tim ,deklaratat e Subashit nisen nga interesa partiake dhe jo ligjore”. “Kjo pasi KQZ-ja nuk ka kompetenca të pastra rinumërimi, nuk ka infrastrukturë për të bërë rinumërime të tilla dhe ligji e detyron për të bërë rinumërim për vota të caktuara dhe jo për qarqe të tëra, siç ishin kërkesa për Beratin, Shkodrën dhe Durrësin. Nuk është ligjor, absolutisht nuk është ligjor, sepse mund të hapim vota të caktuara të provës dhe jo rinumërim”, theksoi Ristani. Ai shtoi se “Kolegji Zgjedhor në këtë rast përfundimisht i vuri vulën këtij procesi, duke lënë në fuqi vendimin e KQZ dhe komentet tashmë që janë dhe jashtë kohës, nuk kanë më aktualitet, për mua janë përsëri përdorim në funksion të interesave të caktuara politike dhe më vjen keq për këtë”. Duke vlerësuar punën disamujore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ristani theksoi se nën drejtimin e tij, vendimet e KQZ nuk kanë qenë të politizuara. “Shumica në KQZ ka marr vendime në kundërshtim me interesat e partisë, e cila na ka propozuar në KQZ, në të kundërt, pakica në KQZ nuk ka asnjë rast që të këtë marr një vendim në të kundërt të interesave të partisë, e cila i ka propozuar në KQZ”, përfundoi ai. Kryekomisioneri ka rrëzuar edhe mënyrën e ankimeve të partive politike për procesin zgjedhor, pasi sipas tij, gjithçka ka qenë e rregull,t asnjë prej komisionerëve të niveleve të dyta dhe të treta nuk ka pasur shënime në procesverbale në ditën e zgjedhjeve. “Në rast se nuk konstatojnë asnjë parregullsi, nuk mundet që subjekti përkatës zgjedhor të vijë dhe të ankojë në KQZ dhe të thotë që njerëzit e mi në qarqe të tëra s’kanë bërë detyrën, por praktikisht procesi i numërimit paska qenë i gabuar. Në konsideratën time, kërkesa për rinumërim të qarqeve të tëra, Berat, Shkodër, Tiranë, Durrës, do të thotë abuzim me këtë të drejtë”, thekson Ristani.