PD: Do mbledhim fonde për varfërinë e Edi Ramës
Partia Demokratike reagon ndaj deklaratës së Partisë Socialiste, në lidhje me pasurinë e kryeministrit, duke ironizuar pasurinë e kryesocialistit Rama. “Avokatët e Kryetarit mandat prerë të PS, përpara së gjithash të përgjigjen se çfarë e shtyn Z.Rama të japë leje dhjetëra katëshe ndërtimi mbi monumente kulture qindravjeçare, si Varri i Dervish Pashës, ku po ndërton Fideli apo Ura e Tabakëve ku po ndërton Dashnori? Turpi është për z.Rama dhe Fidelët e Dashnorët e tij”, tha zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli. PD në deklaratën e saj thekson se “Turpi është për z.Rama që tallet me shqiptarët dhe deklaron se pasuria e tij është në limitet e varfërisë. Z.Rama në deklaratën e depozituar ka deklaruar se ka 400.000 lekë të vjetra të kursyera nga paga në llogarinë e tij bankare. PD është e gatshme të hapë një llogari bankare për kryetarin e bashkisë, që strehohet në kullën e Myslym Pezës dhe fton të gjithë shqiptarët të kontribuojnë me aq sa kanë mundësi për të zbutur varfërinë e skajshme të z.Rama”, tha Mëhilli.