Kriza, Qeveria prek kontingjencën
Fabiola Çela
Kriza ka detyruar qeverinë që të prekë fondin e kontingj-encës. Në mbledhjen e djeshme Këshilli i Ministrave ka miratuar projektvendimin më anë të së cilit i lejon Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit që të përdorë fondin e kontingjencës për ndërtimin e rrugëve. Bëhet fjalë për 4.3 miliardë lekë, që do të përdoren për ndërtimin e rrugëve nacionale. Në tërësi fondi i kontingjencës për vitin 2009 është 6 miliardë lekë. Ka qenë vetë Ministria e Financave që ka propozuar marrjen e një vendimi të tillë. “Propozojmë që në vitin 2009 fondi i kontingjencës të përdoret nga MPPTT, për programin e rrugëve nacionale në masën 4.3 miliardë lekë”, thuhet në relacionin që i bashkëngjitet këtij projektvendimi.
Kriza
Vetëm pak kohë më parë përmes një vendimi qeveria vendosi të ndalojë procedurat e prokurimit për fondet e investimeve të parashikuara në buxhetin e vitit 2009, që nga data 3 gusht 2009. Të gjitha ministritë, të cilat kishin parashikuar zhvillimin e tenderave, pas kësaj date duhet t’i anulonin ato. Pas datës 3 gusht nuk do të ketë asnjë investim të ri të qeverisë. Sipas relacionit të Ministrisë së Financave, kriza jo vetëm është evidente, por në rastin më të mirë do të vazhdojë njësoj deri në fund të vitit. Për këtë arsye, financat propozuan që të kufizohen shpenzimet operative dhe kapitale. Sipas relacionit të Ministrisë së Financave: “Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2009, sipas të dhënave operative të ardhurat e mbledhura nga tatimet e mbledhura nga tatimet e doganat kanë pasur një mosrealizim rreth 5.4 për qind kundrejt planit të parashikuar në buxhetin e vitit 2009. Ky mosrealizim ka qenë kryesisht reflektim i krizës ekonomike ndërkombëtare, e cila tashmë ka përfshirë pjesën dërrmuese të ekonomive botërore, si ato të zhvilluara dhe ato në zhvillim. Megjithatë, vendi ynë krahasuar edhe me ekonomitë e vendeve të rajonit, të cilat tashmë kanë regjistruar rritje negative është prekur më lehtë në mënyrë të dukshme nga efektet e kësaj krize dhe parashikon sërish një rritje pozitive edhe për vitin 2009. Si rrjedhojë e efekteve negative të krizës të përçuara tashmë edhe në ekonominë e vendit tonë, si nëpërmjet kanaleve të jashtme, ashtu edhe atyre të brendshme është vërejtur një ngadalësim i ritmit të rritjes së aktivitetit ekonomik gjë e cila ka ndikuar në mënyrë direkte edhe në mosrealizimin e të ardhurave të planifikuara. Gjithashtu edhe në zërat e tjerë të së ardhurave nga pushteti vendor dhe grantet ka pasur një mosrealizim të ndjeshëm të tyre. Vetëm për pesëmujorin e parë të vitit të ardhurat nga pushteti vendor janë realizuar në masën 75 për qind të planit dhe ato nga grantet në masën 33 për qind të tij. Duke u mbështetur në treguesit ekonomikë afatshkurtër dhe pritshmëritë për periudhën në vijim të vitit, si dhe pritshmëritë për të paktën ato ekonomi të huaja me të cilat vendi ynë realizon dhe mbështet një pjesë të konsiderueshme të aktivitetit të tij ekonomik, parashikohet që edhe për gjysmën e dytë të këtij viti të ardhurat e buxhetit të shtetit të kenë një tkurrje, në krahasim me planifikimin fillestar të tij pak a shumë në të njëjtat ritme”.
Berisha: Nuk jemi prekur nga kriza ekonomike
Kreu i qeverisë ka deklaruar sërish se vendi ynë nuk preket nga efektet e krizës globale ekonomike. Lidhur me projektvendimin e miratuar dje për përdorimin e fondit të kontingjencës ai është shprehur se këtë vit fatmirësisht investimet në vend kapin 10 për qind të prodhimit të brendshëm. “Në dijeninë time, nuk di asnjë qeveri tjetër të ketë përqindje të tillë investimi. Gjatë një konference, në një forum botëror, Kryeministrin e Republikës Popullore të Kinës që u zotua se në dy vite investimet atje do të ishin 16-18 për qind, ose 8-9 për qind në vit” ka deklaruar ai. Madje sipas tij Shqipëria i ka 10 për qind. “Ndaj ata që flasin për krizë, kanë krizë të brendshme psikologjike. Një vend që investon 10 për qind, është një vend me kapacitete dhe gjallëri shumë të madhe. Kjo është dëshmi i një ekonomie dinamike dhe solide. Edhe të dhënat e fundit për eksportet janë pozitive, ka një rritje të ndjeshme të eksporteve në qershor. Koniunktura botërore e kromit po lartësohet progresivisht. Pra, ka vend për optimizëm, të kujdesshëm, por real dhe vetëm real”, është shprehur kreu i Qeverisë në mbledhjen e djeshme. Nuk është hera e parë që kryeministri Berisha thekson se ekonomia shqiptare nuk është e prekur nga kriza, madje sipas tij në buxhetin e shtetit ka mjaftueshëm para.