Dade: PD po përdor administratën në fushatë
Kandidatja për deputete e PS në Qarkun e Gjirokastrës Arta Dade, ka shprehur shqetësimin për përfshirjen e administratës shtetërore në tubimet politike që organizojnë kandidatët për deputetë të PD. Në një dalje për mediat në orët e mbasdites së të hënës, zonja Dade e ka quajtur të papranueshme përdorimin e administratës shtetërore e sidomos atyre të sistemit arsimor në tubimet elektorale gjatë dy ditëve të fundit nga ana e PD së Gjirokastrës.
Shembullin konkret zonja Dade e ka sjellë me aktivizimin në tubimet partiake të personave që kanë status të veçantë në institucionet shtetërore që nuk përputhen aspak me aktivitetet partiake. Pjesëmarrja aktive e avokatit të shtetit Kristaq Kutra në gjyqësorin e Gjirokastrës gjatë mbledhjeve të ngushta sektoriale të degës së PD në Gjirokastër, bie ndesh me statusin e nëpunësit në sistemin e drejtësisë i cili është i shkëputur nga politika-është shprehur zonja Dade. Ndërkaq zonja Dade ka sjellë edhe shembullin e organizimit të një tubimi elektoral mesditën e sotme në shkollën e fshatit Luftinjë në Tepelenë ku kryetari i Këshillit të Qarkut të Gjirokastrës Arben Culli, kishte shkelur ligjin jo vetëm se organizonte takim elektoral në ambiente shkollore në kundërshtim me ligjin, por më e keqja ishte edhe përdorimi i nxënësve dhe mësuesve të kësaj shkolle në këtë takim.