Dade: “Shëndeti i përkeqësuar, grevistët janë të vendosur të vazhdojnë betejën”
Deputetja e Partisë Socialiste, Arta Dade, deklaroi dje se grevistët me moralin e lartë janë të vendosur ta vazhdojnë këtë betejë. Sipas deputetes Dade, mëngjesin e djeshëm deputetët dhe mbështetësit brenda çadrave të ngujimit kanë shfaqur shqetësime të tjera. "Sapo takova kolegët që ndodhen në sallën ku jepet shërbimi mjekësor dhe mjekët që kujdesen. Ka probleme me tensionin, dhembjen e kokës, por më shqetësuese është situata për ata që vuajnë nga diabeti", - bëri të ditur Dade, duke shtuar se nëse situata përkeqësohet, do të merret një vendim që ata ta lënë grevën. Sigurisht, sipas saj, asnjë shtrat nuk do të mbetet bosh, pasi ka shumë deputetë të tjerë, të gatshëm për të hyrë në grevë. "Jam e impresionuar nga gjendja e lartë e moralit të grevistëve. Ata janë më të vendosur se kurrë për ta çuar deri në fund këtë betejë dhe ne që jemi jashtë po punojmë në disa drejtime, duke sensibilizuar ndërkombëtarët për situatën", - theksoi deputetja Dade.
5 Maj 2010