E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përkeqësohet shëndeti, shkon në tre numri i pacientëve grevistë

Mjeku Brokaj: “Grevistët që vuajnë nga diabeti duhet të dalin menjëherë”

Gjendja shëndetësore e grevistëve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” vjen çdo ditë e më shumë duke u përkeqësuar. Edhe pse kjo gjendje sa vjen dhe bëhet më delikate, grevistët janë të vendosur ta çojnë deri në fund betejën e tyre. Vetëm dje, në ditën e pestë, ka shkuar në dy numri i grevistëve të urisë që përfundojnë në spital për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Një grevist në orët e para të paradites është dërguar me urgjencë në spital si pasojë e rëndimit të gjendjes së tij shëndetësore. Bëhet fjalë për një mjek veteriner 50-vjeçar nga Elbasani, me emrin Ramazan Ceka, mbështetës i Partisë Socialiste në këtë protestë për votën e lirë. Sipas informacioneve, Ceka ka ndjere shqetësime të forta për shkak edhe të faktit se vuante nga diabeti. Ai është nxjerrë menjëherë duke u shoqëruar në spitalin “Nënë Tereza”.
Një tjetër grevist, një i ri nga Vlora me emrin Romeo Sina, është transportuar urgjent dje, rreth orës 14:30 për në qendrën spitalore universitare "Nënë Tereza". Sipas informacioneve, Sina kishte pësuar gjendje të fikëti, gjë që i alarmoi së tepërmi edhe bashkëgrevistët e tjerë. Në çdo rast urgjence, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama dhe deputetë të tjerë vihen menjëherë në dijeni nëse momentalisht nuk janë të pranishëm te çadrat.
Spahiu
Shëndeti i përkeqësuar është ndjerë edhe ditë më parë te grevistët. Dy ditë më parë, deputetja e qarkut të Durrësit, Klodiana Spahiu, është transportuar në Spitalin Ushtarak. Ajo ka shfaqur simptoma të lodhjes, këputjes së trupit, marrje mendsh dhe të vjella, por pas kontrollit mjekët arritën në përfundimin se Spahiu ka pasur komplikacione në stomak. Rreth orës 03:10 të mëngjesit të së hënës, autoambulanca që ndodhej në sheshin para Kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” bëri të mundur transportimin e saj në spital. Të pranishëm në ato momente pranë deputetes kanë qenë dhe kryetari i PS-së, Edi Rama, si dhe deputetët Gramoz Ruçi, Namik Dokle, Pandeli Majko etj.
Mjeku
Mjeku kardiolog, Sabit Brokaj, ka rekomanduar daljen nga greva e të gjithë diabetikëve. Sipas konstatimeve që ai ka kryer, në përgjithësi, te të gjithë grevistët vihen re shenja të uljes së tensionit. Në kontrollin që i bëri grevistit Ramazan Caka, Brokaj tha se ai vuante nga diabeti dhe kishte rënie të glicemisë së sheqerit në gjak. Duke përshkruar situatën e grevistëve Brokaj tha se gjendja shëndetësore është më e rënduar dhe lidhet drejtpërdrejt me kohëzgjatjen e një greve jashtëzakonisht strikte. Sipas tij, momentet më kritike u manifestuan te deputetja Klodiana Spahiu, e cila dy ditë më parë u shtrua në spital me komplikacione në stomak.

Gjermeni: “Qeveria nuk i mbështet pacientët në gjendje të rënduar shëndetësore”

Deputetja e Partisë Socialiste, Eglantina Gjermeni, ka shprehur dje indinjatën ndaj sjelljes së mjekëve që trajtojnë ata pacientë grevistë me probleme shëndetësore. Deputetja bëri shkaktare qeverinë, e cila, sipas saj, u jep urdhra mjekëve të mos i trajtojnë siç duhet pacientët grevistë. Gjermeni më konkretisht ka shprehur shqetësim ndaj trajtimit të pacientit grevist Ramazan Ceka, në spital, i cili ndodhet i shtruar prej paradites së djeshme. “Jam e indinjuar për mënyrën se si na pritën mjekët, pasi në njërën anë qeveria shqiptare na garanton për sigurinë dhe mbështetjen në aspektin human, nga ana tjetër ne ndeshemi me mjekë, të cilët veprojnë sipas urdhrave të partisë", - u shpreh Gjermeni.

5 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›