E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grevistët, Vasili u dërgon letër Ramës, Ruçit dhe Topallit



Ministria e Shëndetësisë duket se është ngritur në këmbë për t’u ardhur në ndihmë deputetëve grevistë të Partisë Socialiste, të cilët dje kanë hyrë në ditën e katërt të saj. Për këtë arsye, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i ka dërguar dje një letër të hapur kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, kryetarit të Grupit Parlamentar të saj, Gramoz Ruçi dhe kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli. Në letrën e tij prej tri faqesh, ministri Vasili u ka bërë me dije Ramës, Ruçit dhe Topallit se ai po ndjek me vëmendje ecurinë shëndetësore të grevistëve, duke urdhëruar çdo strukturë shëndetësore
për t’u ardhur atyre në ndihmë. Gjithashtu, ministri Vasili, ndër të tjera, ka shkruar në letër se do të sigurojë gatishmëri maksimale të strukturave shëndetësore publike për të ofruar ndihmë mjekësore ndaj grevistëve të urisë. “Nëse ju e gjykoni të udhës, ju konfirmoj se ekipet mjekësore publike janë të gatshme që të ofrojnë ndihmën e tyre edhe brenda mjediseve ku zhvillohet greva, në bashkëpunim me ekipin mjekësor vullnetar që shërben atje, për të asistuar sa më mirë dhe me cilësinë e duhur grevistët e urisë”, - shkruhet në letrën e ministrit të Shëndetësisë. Në fund të letrës ai ka bërë të ditur se e gjithë infrastruktura spitalore dhe njerëzore do të jetë në shërbim 24 orësh.
J.Tashi

5 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›