E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligori: “Ky është fundi i Saliut mbret”



Partia Socialiste ka vijuar pasditen e djeshme me protestën në mbështetje të deputetëve dhe socialistëve që ndodhen që prej 30 prillit në grevë urie. Një prej deputeteve greviste, Shegushe Ligori, ka bërë thirrje që të gjithë të dalin në protesta. “Sali Berisha nuk jemi këtu për mëshirën tënde, por për të drejtën tonë. Gra dhe motra, dilni në sheshe, është fundi i Saliut mbret. Do të jemi të gjithë bashkë për të përmbysur këtë pushtet”, - është shprehur Ligori.

Ngjela: ”T’i japim fund tiranisë së këtij pushteti”

Kreu i Partisë Ligj për Drejtësi, Spartak Ngjela, ka deklaruar dje para popullit opozitar se kjo protestë dhe greva e urisë është beteja më e madhe. “Sot jetët sakrifikohen për lirinë. Beteja me ta është e madhe, por është e fituar, për t’i thënë ndal një kryeministri që vetëm popullin e tij nuk do”, – tha Ngjela. Nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Ngjela theksoi se pikërisht nga ky vend do t’i jepet fund tiranisë së këtij pushteti. “Kam besim se do t’i japim fund tiranisë në Shqipëri për të votuar shqiptarët. Do t’i japim fund patjetër, sepse kemi përgjegjësi morale”, - tha Ngjela. Sipas Ngjelës, grevistët nuk mbështeten më nga 100 mijë shqiptarë, por nga 1 milion të tillë. “Kam besim se mbështetësit tanë nuk janë 100 mijë, nuk janë 200 mijë, por janë më shumë se 1 milion. Asnjë qeveri nuk mund të trembë më njerëz si këta grevistë që janë këtu, kjo është një epokë e re. Le të shpërthejë entuziazmi demokratik për të larguar këtë tirani të mallkuar”, - theksoi Ngjela.

5 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›