Gjiknuri: “Nuk ka vendim gjykate që pengon hetimin e zgjedhjeve”
Partia Socialiste nuk kërkon ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve të 28 qershorit, por hetimin e tyre përmes hapjes së kutive. Ky është reagimi që erdhi dje nga deputeti i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri në lidhje me pretendimet e Partisë Demokratike, se nuk ka një vendim gjykate për hetimin e zgjedhjeve. “Ndjehemi të trishtuar kur përsëriten të njëjtat argumente, që nuk kanë asnjë bazë ligjore”, - u shpreh Gjiknuri. Deputeti socialist theksoi se edhe në cilësinë e hartuesit të Kodit Zgjedhor nuk ka asnjë vendim gjykate që të pengojë hapjen e dokumenteve të zgjedhjeve. Ai tha se përfaqësuesit e Partisë Demokratike duhet të tregojnë se cili vendim e ndalon hetimin e zgjedhjeve dhe transparencën. “Në themel të kërkesës është hetimi i këtij dokumentacioni. Duhet të nxjerrim përgjegjësitë e duhura ligjore dhe institucionale. Çdo deklaratë tjetër është absurde”, - u shpreh Gjiknuri.
5 Maj 2010