E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dade: S’heqim dorë nga hetimi i kutive

Sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë në Partinë Socialiste kërkoi dje hetim të fletëve të votimit, nëse paraqitet e nevojshme.

Arta Dade shprehu gadishmërinë e PS për nisjen sa më parë nga puna të komisionit hetimor parlamentar për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. "Ne jemi të gatshëm, që në momentin më të parë të krijojmë komisionin sipas parametrave që kërkohen tashmë dhe nga rezoluta e PE-së dhe sigurisht pa hequr dorë nga transparenca e procesit zgjedhor; absolutisht duke hetuar materialet zgjedhore dhe në rastet kur ka probleme me materialet zgjedhore, atëherë del e domosdoshme të shkohet dhe tek kutitë e votimit", - u shpreh sekretarja socialiste. Partia Socialiste duket e vendosur për të mos lëshuar më hapësirë në kërkesat e saj për transparencën e zgjedhjeve dhe paralajmëron se në mungesë të transparencës, ajo do të rinisë protestat në vjeshtë. "Ky është opsioni i fundit përtej të cilit ne nuk kemi si të lëvizim. Sigurisht, opozitës i mbetet që në kushtet e ngushtimit të të gjitha hapësirave, të shkojë tek protestat pa hequr dorë nga të gjitha format e tjera demokratike të luftës politike", - u shpreh Dade.
Negociatat
Sekretari për çështjet ligjore në PS, Fatmir Xhafaj, tha pak ditë më parë se edhe gjatë ditëve të verës negociatat nuk kanë pushuar, ndërsa është shprehur se ata kanë dhënë dhe propozime të reja e konkrete për zgjidhjen e krizës. "Në këtë kontekst, edhe gjatë këtyre ditëve kemi bërë hapa konkretë. Edhe gjatë këtyre ditëve, zoti Ruçi i ka ofruar zotit Patozi propozime konkrete. Se cilat janë ato, në ç'mënyrë janë bërë dhe si do të reagojë përfaqësuesi i PD-së, kjo nuk më takon mua ta them, pasi është një çështje ndërmjet dy kryetarëve të grupeve parlamentarë. Ne, edhe këto ditë që po flasim nuk po rreshtim së kërkuari një zgjidhje me propozime konkrete. çështja e zbatimit të rezolutës është serioze", - është shprehur Xhafaj pak ditë më parë. Sipas sekretarit socialist, rezoluta e PE-së përcakton qartë se nuk mund të ketë reformë zgjedhore, pa kryer më parë hetimin e zgjedhjeve të 2009. "E kërkon shprehimisht rezoluta, pika 5 e kësaj rezolute e kërkon në mënyrë eksplicite kur thotë se duhet në mënyrë të menjëhershme të ngrihet një komision hetimor parlamentar për hetimin zgjedhjeve të 2009. Ky komision të ketë shumicën opozitare, të drejtohet nga opozita, të ketë në fokus hetimin e materialeve elektorale. Thotë edhe një gjë tjetër, e cila është shumë interesante, që duhet të përfundojë sa më shpejt puna e këtij komisioni, në mënyrë që përfundimet të jenë bazë për reformën zgjedhore të pritshme, bazuar edhe në gjetjet e OSBE-ODIHR", - u shpreh Xhafaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›