E Diel, 1 Nëntor 2026

Socialistët evropianë: “Hetim të zgjedhjeve dhe hapje të kutive”

Autori i Lajmit: Redaksia
Deputetët e Partisë Socialiste, Arta Dade, Taulant Balla dhe Arben Ahmetaj, me ftesë të Grupit Socialist në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës po zhvillojnë disa takime me përfaqësuesit më lartë të grupeve politike dhe të Komiteteve të Asamblesë.
Në ditën e parë të vizitës deputetët socialistë morën pjesë në mbledhjen e Grupit Socialist, ku bënë një prezantim të detajuar të krizës politike në Shqipëri pas zgjedhjeve të përgjithshme të 28 Qershorit. Sipas njoftimit zyrtar të PS-së, kryetari i Grupit Socialist, Andreas Gross, i cili do të flasë në emër të këtij grupi edhe në seancën plenare ku do të zhvillohet debati për Shqipërinë, u shpreh në këtë takim se pa asnjë mëdyshje që qëndrimi ynë si socialistë evropianë është në mbështetje të PS-së. “Ne do të përdorim të gjithë mekanizmat dhe mundësitë për një zgjidhje sa më të shpejtë të krizës në Shqipëri, duke garantuar një përfaqësim të lartë të grupit socialist në Komitetin e Presidencës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit që do të vizitojë shumë shpejt Shqipërinë”, - tha ai. Grupi Socialist mbështeti kërkesën e Raportit për Shqipërinë për një hetim të plotë të zgjedhjeve në Shqipëri pa kushtëzuar të drejtën e hapjes së kutive. Po i njëjti burim pohon se ish-zëvendëskryeministri britanik, John Prescot, në takimin me socialistët ka pohuar se gjithçka ka ndodhur në Shqipëri me zgjedhjet dhe procedurat gjyqësore postzgjedhore është një kopje e Armenisë, pra nuk ka asnjë dyshim se ka pasur manipulime dhe ndryshim të vullnetit të zgjedhësve. “Ne nuk duhet të lejojmë që kriza në Shqipëri të përshkallëzohet sikurse ndodhi edhe në Armeni, ku situata degradoi në konflikt dhe humbje jetësh njerëzore”, - tha ai.
Deputetët socialiste patën një takim të veçantë edhe me raporterin për Shqipërinë Jaakko Laakso me të cilën ndan të njëjtat mendime se raporti i përgatitur prej tij dhe zotit Uilshire është një vlerësim korrekt i krizës politike dhe se Rezoluta që buron nga ky raport është një dokument i rëndësishëm mbi bazën e të cilit të gjitha palët marrin përgjegjësitë për një zhbllokim sa më të shpejtë të krizës politike dhe institucionale.
Deputetët socialistë shkëmbyen mendime për situatën e krijuar me delegacionin shqiptar në Asamble edhe me ish- ministren e Jashtme të Greqisë, Dora Bakojanis.

Ky lajm është publikuar: 28/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›