Dade:Infrastruktura zgjedhore, ende problematike
Sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë në PS, Arta Dade shprehu shqetësim të enjten në Kuvend lidhur me përgatitjet për infrastrukturën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. "Javën e ardhshme do të jenë në Tiranë ekspertët ODIHR për të verifikuar përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore. Ngadalësimi i procesit dhe vonesat e qëllimshme në pajisjen e shtetasve me kartat e identitetit, mangësitë në listat zgjedhore etj, vazhdojnë të mbeten problemore", u shpreh në Kuvend deputetja Dade. Sipas saj, "ky precedent i përsëritur, jo vetëm do të ishte fatal për ambicjet tona integruese, por edhe për të ardhmen tonë. Nëse do të rrëzohemi në këtë provim të radhës, imazhi ynë do të jetë ai një vendi të drejtuar nga politikanë të pandreqshëm".