E Shtunë, 31 Tetor 2026

Daily Telegraph: “Bombë demografike” në BE

 

Fluksi i emigrantëve nga e gjithë bota në drejtim të vendeve të zhvilluara perëndimore ka ndryshuar parashikimet e ekspertëve mbi luhatjet e popullatës në Evropë. Sipas gazetës së përditshme britanike, ”Daily Telegraph”, pjesa më madhe e emigrantëve të ardhur kryesisht në vendet perëndimore ka shkaktuar potencial të mjaftueshëm për një “bombë demografike” në Evropë. Nga zhvillimet e fundit parashikohet se deri në vitin 2050, një e pesta e banorëve të Bashkimit Evropian do të jenë besimtarë të fesë islame. Shifrat dalin nga një analizë e kryer nga kjo gazetë. Sipas “Daily Teleghraph”, kjo “bombë demografike” që nis nga larg, po ecën me hapa të shpejtë pasi gjatë 30 viteve të fundit popullsia myslimane është dyfishuar. Në Bruksel gjashtë emrat që udhëheqin në listën e emrave më të zgjedhur për fëmijët e porsalindur janë Mohamed, Adam, Rayan, Ayoub, Mehdi, Amine dhe Hamza. Vëzhgimet e fundit përgënjeshtrojnë tërësisht parashikimet e bëra disa vite më parë mbi tërësinë e popullsisë evropiane. Ndërsa në vitin 2004 mendohej se banorët e BE-së, për shkak të shkallës së ulët të lindjeve, do të zvogëloheshin në numër deri në 16 milionë brenda vitit 2050, tani parashikohet se popullsia do të rritet me 10 milionë deri në vitin 2060. Artikulli parashikon gjithashtu se Mbretëria e Bashkuar (Britania e Madhe) do të jetë vendi më i populluar i BE-së, me 77 milionë banorë në vitin 2060.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›