E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mitrovica, qeveria zotohet kundër bllokadës serbe

 

Qeveria e Kosovës është zotuar se, me gjithë kërcënimet e grupeve serbe, ndë-rtimi i shtëpive të shqiptarëve në lagj-en Kroi i Vitakut nuk do të ndërpritet. Përpos protestave të popullatës serbe në pjesën veriore të Mitrovicës, punimet janë ndërprerë edhe për shkak të tragjedisë që ka ndodhur në fshatin Suhadoll, ku kanë humbur jetën tre fëmijë, si pasojë e një aksidenti gjatë javës së kaluar. Ndërprerja e punimeve është respektuar vetëm nga pala shqiptare, pasi serbët i kanë vazhduar punimet në ndërtimin e banesave të tyre në këtë lagje duke injoruar urdhrin e qeverisjes lokale në Mitrovicë. Serbët pretendojnë se shqiptarët po bëjnë ndërtime në një linjë të kuqe, e cila ishte vendosur në një marrëveshje të mëparshme me autoritetet kosovare si e paprekshme. Por autoritetet në Kosovë mohojnë ekzistencën e një marrëveshjeje të tillë, qoftë edhe në vitet e mëparshme. Serbët kanë paralajmëruar se do të protestojnë sërish dhe se nuk do të lejojnë ndërtimin dhe rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve. Madje thonë se ato toka nuk janë të evidentuara dhe kjo është një arsye më shumë pse përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës zotohen se nuk do të lejojnë të ketë pengesa në ndërtimin e shtëpive në lagjen Kroi i Vitakut. Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, tha se “Besoj se është e qartë për të gjithë se ekstremistët apo grupet radikale që mund të tentojnë të bllokojnë punën, kanë qenë të pasuksesshme dhe do të jenë të pasuksesshme dhe në të ardhmen”. Partitë opozitare e kanë kritikuar qeverinë për vonesat e tyre në shtrirjen e autoritetit në veri të Kosovës. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e quan të gabuar planin e Qeverisë. “Sipas bindjes sime, fillimi është gabim. Po e them me sinqeritetin më të madh, ndërtimi i shtëpive është i nevojshëm, por atje ka nevojë për ndërtim të rendit”, tha Haradinaj. Ndërkohë zyrtarë të policisë rajonale në Mitrovicë njoftojnë se janë shtuar masat e sigurisë dhe është rritur numri i policëve. Ndërsa analistë shprehen për mediat e Kosovës se kthimi i qeverisjes së Mitrovicës veriore tek autoritetet e Prishtinës është shumë i vështirë. “Gjendja në veri tash 10 vjet është një konflikt i ngrirë me pak gjasa të integrimit të plotë në sistemin qeverisës të Kosovës”, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, analisti britanik, Tim Xhuda, dhe shtoi se “bashkësia ndërkombëtare nuk do të lejojë këmbim territoresh”, duke e cilësuar këtë ide të ndërlidhur me procesin rreth ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) në Hagë. “Më duhet të them se nuk jam edhe aq optimist për integrimin e plotë të veriut në sistemin e qeverisjes së Kosovës. Kjo më duket se ka pak gjasë të ndodhë. Por, ka gjasë që të zhvillohet një formë më e mirë e ‘modus vivendit’ për të gjithë”, tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›