E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrave, arrin në 12 numri i të prekurve

 

Fabiola Çela

Rritet numri i të prekurve nga gripi i derrave në vend. Sipas të dhënave më të fundit nga Instituti i Shëndetit Publik ka arritur në 12 numri i rasteve të konfirmuara me virusin A/H1N1 në Shqipëri. ISHP bën të ditur se nga 16 mostrat e dërguara në laboratorin e Rumanisë 4 kanë rezultuar pozitive ndaj gripit të derrave. Specialistët bëjnë të ditur se konfirmimi erdhi pas analizave që u kryen në laboratorët e Bukureshtit, ku institucionet tona spitalore dërguan 16 kampione, pasi kishin dyshime për praninë e virusit A/H1N1. Pasi kanë analizuar të gjitha rastet ka rezultuar se 4 prej tyre ishin mbartës të këtij virusi, ndërsa për 12 të tjerët përgjigjja ka qenë negative. Pas këtij konfirmimi që vjen nga ISHP, numri në total i të prekurve në vendin tonë arrin në 12. Ajo që nënvizohet nga autoritetet shëndetësore është fakti se të gjitha rastet kanë kaluar një situatë të lehtë të kësaj sëmundjeje, duke u shëruar shumë shpejt, pas kujdesit mjekësor që është treguar ndaj tyre. Ndërkohë brenda muajit shtator vaksina kundër gripit të derrave do të jetë në treg. “Kemi filluar testet e vaksinës antigrip tek njerëzit dhe rezultatet e para të përmirësimit mund t’i shohim vetëm pas një muaji, çka do të na bindte për përdorimin masiv të vaksinës. Shpërndarja masive e vaksinës në treg nuk do të komprometojë efektshmërinë e saj”, ka deklaruar pak ditë më parë për mediat e huaja drejtoresha e Programit të Vaksinimit në OBSH, Marie Paule Kieny. Ajo ka deklaruar se: “Ne parashikojmë se efektet anësore të medikamentit do të mund t’i vërejmë vetëm pasi vaksina të jetë përdorur nga miliona njerëz dhe vdekjet si pasojë e këtyre efekteve do të jenë shumë të rralla. Efektet anësore të saj mund të shkaktojnë çrregullime në stomak, temperaturë të lartë dhe diarre”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›