I lagu me ujë oborrin, 60 plumba familjes së fqinjit
SHKODER/ RIDVAN DIBRA
Breshëri familjes së komshiut vetëm pse uji i lagte oborrin. Ngjarja që për pak do të shndërrohej në një masakër ndodhi dje në mesditë në Vaun e Dejës. Xhafer Hoxha ka behur në banesën e Mahdi Smajlit me kallash në dorë rreth orës 14:30. Sapo ka hapur derën e shtëpisë ai ka gjuajtur fqinjët e tij me breshëri derisa i janë mbaruar të gjithë plumbat. Plot 60 gëzhoja u sekuestruan në cilësinë e provës materiale të shpërndara në dhomën ku kishte ndodhur ngjarja, por familja Smajli shpëtoi mrekullisht. Sipas policisë, në momentin e ngjarjes janë ndodhur në banesë pesë pjesëtarët e familjes, por fatmirësisht vetëm një plumb ka prekur në këmbë vajzën e shtëpisë L. Smajli, 19 vjeçe. Familjarët kanë përjetuar momente tmerri e paniku, ndërsa komshiu i tyre zbrazi të gjithë karikatorin e kallashit. Mekanizmi i ngjarjes ka qenë aq i rrezikshëm sa edhe vetë policia është habitur nga bilanci i saj teksa mblodhi 60 gëzhojat. Vetëm fati e ka ndihmuar familjen Smajli të dalë nga kjo ngjarje shëndoshë e mirë. Mësohet se edhe vajza e plagosur në këmbë ka marrë ndihmën mjekësore në spitalin e Shkodrës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndonëse tepër e traumatizuar nga tmerri që kishte parë me sy. Pas sinjalizimit të dhënë nga familja, por edhe banorë të fshatit të cilët kishin dëgjuar breshërinë e armës, në vendin e ngjarjes u nisën menjëherë një grup i postës së Policisë të Vaut Dejës, si dhe një skuadër e agjentëve të Policisë Kriminale të Komisariatit të Shkodrës, të udhëhequr nga vetë shefi i këtij komisariati Sejfulla Meto. Blutë pasi morën dëshminë e viktimave të mundshme, bënë të mundur arrestimin e Xhafer Hoxhës. Ai u arrestua pa rezistencë, ndonëse me vete kishte armën e krimit. Hoxha u akuzua për veprat penale të vrasjes së mbetur në tentativë dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake. Sipas burimeve, dyshohet se 60- vjeçari të ketë qenë në gjendje të dehur kur e ka kryer një veprim të tillë ndaj fqinjëve të tij. Nga dëshmitë paraprake të dhëna grupit hetimor të kësaj çështje, nga ana e pjesëtarëve të familjes Smajli, mësohet se shkaku i acarimit të fqinjit të tyre Xhafer Hoxha të ketë ardhur pasi uji i familjes Smajli lagte edhe oborrin e familjes Hoxha. Kjo gjë ka qenë objekt i shumë debateve mes tyre gjë e cila ka bërë që në një moment kur Hoxha të ishte në gjendje të dehur të merrte automatikun për t’i dhënë fund një herë e mirë kësaj mosmarrëveshje ndërmjet fqinjëve. Ngjarja e djeshme përhapi panik edhe tek banorët e tjerë të zonës.