Korçë, gjahtarët plagosin fermerin
KORÇE - Gjahtari qëllon për të vrarë shkurta, por saçmat plagosin fermerin që prashiste misrin në arën e tij. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së dielës në fshatin Melçan. Ali Brahimllari, 52 vjeç, nuk kishte vënë re se tre gjahtarë ishin në kërkim të zogjve. Ata kur panë disa zogj që iu fluturuan mbi kokë filluan t’i qëllonin. Zogjtë u ulën mbi arën me misër dhe gjahtarët i qëlluan. Në këtë çast ata plagosën fermerin. Klithmat e tij alarmuan gjuetarët, të cilët gjetën mes misrave Aliun të mbytur në gjak. Menjëherë e kanë marrë në krahë dhe e kanë nxjerrë në rrugën automobilistike duke e çuar drejt Spitalit të Korçës. I plagosuri kaloi rrezikun për jetën, ndërsa policia arrestoi Alket Mëhillin, 52 vjeç, nga Tirana, për veprat penale “Plagosje e rëndë nga pakujdesia” dhe “Mbajtje pa lejë e armëve të gjuetisë”. j.gj