E Shtunë, 31 Tetor 2026

Daily Telegraph, të tjera foto nga Abu Graibi

Londër - Daily Telegraph tregon për disa foto të tjera nga burgu i Abu Graibit, të cilat tregojnë përdhunimin e disa të burgosurve atje. E përditshmja britanike, duke u mbështetur tek deklaratat e një gjenerali amerikan, thotë se këto foto janë bllokuar nga presidenti Barak Obama.

Disa fotografi tregojnë një ushtar amerikan, i cili duket se po përdhunon një femër të burgosur, dhe të tjera një përkthyes që po përdhunon një të burgosur, vazhdoi i njëjti burim.

Disa negativë filmash tregojnë abuzime seksuale të kryera mbi të burgosur duke përdorur objekte të ndryshme, ose një femër të burgosur, të cilës ia kanë hequr me forcë rrobat, duke ekspozuar pjesën e sipërme të trupit.

"Daily Telegraph" bën të ditur se ka mundur të konfirmojë natyrën e këtyre fotografive pranë gjeneralit Antonio Taguba, i cili ka qenë i ngarkuar me hetimin për keqtrajtimet e kryera në Abu Graib nga autoritet amerikane.

Gjenerali Taguba, i pyetur nga gazeta, deklaroi se mbështeste vendimin e presidentit Obama për të mos lejuar publikimin e fotografive.

"Këto imazhe tregojnë tortura, abuzime dhe të gjitha llojet e akteve të pahijshme. Nuk jam i sigurt nëse publikimi i tyre do të shërbente për diçka, përveçse në një kuadër juridik, dhe pasoja do të ishte vënia në rrezik e trupave tona, kur kemi më tepër nevojë për ta apo trupat britanike që po përpiqen të vendosin paqen në Afganistan", deklaroi ai.

"Vetëm përshkrimi i thjeshtë i këtyre imazheve, më besoni, është mjaft i tmerrshëm, ", shtoi ai. Presidenti Obama kundërshtoi në mes të majit publikimin e fotografive të shumta që tregojnë abuzime, që mendohet të jenë praktikuar nga ushtarë amerikanë në burgje në Irak ose në Afganistan në kohën e presidencës Bush, ndërkohë që administrata amerikane kishte lënë të kuptohej më parë se ishte për publikimin e këtyre fotografive.

Ky vendim është marrë nga presidenti Obama për të shmangur "përshkallëzimin në zonat e luftimit dhe vënien në rrezik të forcave amerikane në Irak dhe Afganistan", ka shpjeguar një zëdhënës, ndërkohë që natyra e fotografive nuk ishte bërë ende e ditur.

Publikimi në vitin 2004 i fotografive që tregojnë ushtarë që poshtërojnë të burgosur në Abu Graib ka bërë xhiron e botës, duke shkaktuar indinjatë kundër metodave të përdorura nga ushtria amerikane.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›