E Shtunë, 31 Tetor 2026

Daimler Benz në Shqipëri?

Nuk është fjala për makina “Benz Mercedes” që konstatohen sërish të vjedhura dhe të importuara në vendin tonë. As për rritjen e shitjeve të makinave të reja “Benz” me kilometrazh zero (edhe pse kjo po ndodh) këtu. Një ëndërr duket sikur po i afrohet realitetit. Pas 19 vitesh tranzicion tek ne, Daimler Benz po shikon mundësi për të investuar në Shqipëri. Për të ndërtuar një impiant prodhues në Shkodër. A është fjalë goje? Si zor, kur këtë e përmend Kryeministri i vendit. Megjithatë, edhe pse jemi ende në pelena për të folur për investime të këtij gjiganti tek ne (nuk duhet harruar që edhe Daimler Benz po e ndjen shumë krizën globale financiare dhe ka njoftuar për mijëra vende pune shkurtime në mbarë botën ku ka fabrikat), ia vlen të ndalemi tek pyetja se pse pikërisht tani kompania “Daimler” i afrohet Shqipërisë? Sepse janë shumë tregues të lidhur me njëri-tjetrin. Aeroporti i Rinasit konsiderohet investimi më modern në aeroportet ndërkombëtare në Ballkanin Jugperëndimor. Për nga sasia e fluturimeve dhe linjat pjesëmarrëse, ai zë vendin e parë mes aeroporteve të tjerë ndërkombëtarë po në këtë zonë të rajonit. Sepse dyqind kompani shumëkëmbëshe i janë afruar Shqipërisë. “Sviceranja ASG Power SA” kërkon të përfshijë vendin tonë dhe të investojë këtu një pjesë të mirë të 2.1 miliardë eurove projekt, një tubacion gazi të lëngët nga Bakuja në Vlorë. Porto-Romanon po kërkon ta marrë një konsorcium britanik i quajtur “Zumax”, ku banka gjermane “Deutsche Bank” do të financojë me qindra-milionë euro investim për një port atje. Sepse vetëm Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH) po jep 100 milionë euro kredi këtë vit dhe e quan rekord një program me një shifër të tillë për një vend të vogël ballkanik. Sepse austriakët po duan të ndërtojnë një hidrocentral në Ashtë dhe janë gati të zbrazin 400 milionë euro. Mesa duket, gjigantët prodhues shohin njëri-tjetrin dhe kur njëri i avitet bindshëm një vendi, për këtë vend u ngjallet oreksi dhe të tjerëve. Po a do të kandiset Daimler Benz të ndërtojë një impiant këtu? Ndoshta është ende shumë herët për të kërkuar ëmbëlsirën në tavolinë. Por fakti që po interesohet, përbën pa dyshim lajm. Edhe pse realiteti ynë nuk shkon pa kundërti të forta. Për shembull, fuqia punëtore. Themi që e kemi të kualifikuar, por një investues kanadez në naftën në Fier tha dje në “Sheraton” në Forumin Ekonomik se kompania e tij ka intervistuar me dhjetëra inxhinierë të naftës që kishin mbaruar fakultetin përkatës në Tiranë për t’i punësuar. Rezultati doli që pothuajse të gjithë nuk ishin në gjendje t’u përgjigjeshin pyetjeve bazë të profesionit. Kjo nuk dëshmon se janë të papërgatitur, por se lëndët që jepen në universitetet tona janë krejtësisht të vjetruara dhe jashtë kërkesave të dijeve të sotme të tregut profesional të punës. Nevojitet një përshtatje urgjente e lëndëve profesionale, sidomos për Fakultetin e Ndërtimit, por edhe për shkollat e mesme profesionale. Jo pak shqiptarë kanë vënë re se në Tiranë, Durrës, Fier apo Vlorë, punëtorë ndërtimi vetë firmat shqiptare punësojnë kinezë apo tajlandezë, pse janë më të kualifikuar. Si do t’i bëhet me ata dhjetëra-mijëra të papunë që kemi dhe që mbushin sheshin e “Ushtarit të panjohur” në Tiranë apo sheshet e qyteteve tona të tjera? Po nga Forumi Ekonomik doli kumti se filialet e kompanive gjigante të ndërtimit, prodhimit apo tregtimit që po hapin zyra tek ne, kanë nevojë urgjente për menaxherë të zotë. Nuk po i gjejnë, edhe pse harxhojnë mijëra-euro me shërbime shoqërish që kërkojnë “koka” (pra, menaxherë të zotë e me eksperiencë) për ta. Prej këtej lind nevoja po urgjente e një shkolle të lartë menaxheriale tek ne. Jemi mbytur me universitete private që gjithçka ofrojnë, por jo menaxherë të zotë. E kujt i duhen këto universitete? Për të thithur paratë e familjeve të mesme shqiptare që nuk kursejnë për bijtë e tyre dhe ëndrrën për t’i parë juristë e ekonomistë? Po ku do të shkojnë këta qindra studentë që i hyjnë kësaj aventure? Përse jepen kaq lehtësisht lejet për hapje universitetesh? Dakord një universitet privat bujqësor apo për turizmin (janë degët ku po ecën ekonomia jonë). Po përse 6-7 universitete private po për juridik apo ekonomik? Të gjithë fëmijët tanë juristë e ekonomistë do të punësohen? Kjo infrastrukturë që ka të bëjë me dijet e duhura për të përballuar ofertat prodhuese e shërbyese të shumëkombësheve ende nuk është vendosur tek ne. Nevojitet një përpjekje e përbashkët qeveri-sipërmarrje private në këtë drejtim. Duhet të nxitojmë, ndryshe edhe vendimmarrësve të “Daimler Benz” mund t’iu kthehet mendja.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›