E Hënë, 2 Nëntor 2026

Daisler te Leverkuseni?

10/05/2005  Skuadra e “aspirinave” kërkon mesfushorin bavarez. Birhof dhe Mateus japin miratimin

Ndërkohë që Bundesligës po i vjen fundi, të gjitha skuadrat janë të interesuara të realizojnë objektivat e tyre në transfertë, për të qenë kështu më të sigurta sezonin e ardhshëm. Sipas informacioneve të mediave gjermane, Bajer Leverkuseni është tepër i interesuar për “yllin” e Bajernit të Mynihut, Sebastian Daisler. Këtë e ka bërë të ditur, edhe vetë trajneri i tyre, Klaus Augentaler, i cili dëshiron ta marrë borxh Daizlerin, nga kampionët bavarezë. Eshtë tepër e veçantë të mendosh se “talenti sensual” dhe tepër teknik i Bundesligës, Daisler, sezonin tjetër do të luajë në “BayArena”. Kohët e fundit, mesfushori bavarez ka qenë një nga personazhet kryesore të mediave sportive gjermane, kjo, pasi ai nuk është parë të aktivizohet shumë në fushë nga trajneri Magath, gjë që ka qenë shqetësuese edhe për drejtuesit e Kombëtares gjermane, Jurgen Klinsman dhe Oliver Bierhof. Ky i fundit duke synuar një synim sa më të shpeshtë të tij, është shprehur se Daisler duhet të ndryshonte skuadrën. “Sebastiani duhet të mendojë vetë për situatën e tij, por unë mendoj se për të do të ishte më mirë që para Botërorit 2006, të luante në një skuadër tjetër, ku të përmirësojë apo të stabilizojë formën e tij” – është shprehur para disa ditësh Bierhof. Gjithashtu, një ndryshim skuadre nga ana e Daislerit, duket të jetë edhe mendimi i trajnerit të Kombëtares hungareze, Lotar Mateus, i cili shprehet: “Daisleri ka shumë nevojë për ndjenjën se ai është një futbollist i padiskutueshëm, titullar, por i sigurt se këtë ndjenjë nuk do të mundë ta ketë kurrë te Bajerni”. Ndërkohë në Leverkusen, Daisleri do të ketë sigurinë dhe ngrohtësinë njerëzore, pasi skuadra e “Aspirinave” nuk është aq shumë në vëmendjen e mediave apo kritikëve sa Bajerni. “Përveçse do të t’i sigurojmë në mënyrë të padiskutueshme anën profesionale Daislerit, ai do të ketë edhe avantazhin e një mjedisi të këndshëm dhe tepër familjar” – shprehet shefi i klubit, Volfgang Holchoizer. Kjo do të thotë shumë për Daislerin, i cili sezonin e kaluar ra “pre” e një depresioni të rëndë psikologjik. Për më tepër, ai më në fund ka mundësinë të aktivizohet në pozicionin e tij të preferuar, pas sulmuesve kryesorë. Aktualisht organizatori i Bajernit, Robson Ponte, pothuajse ka refuzuar ofertën e klubit, për zgjatje kontrate dhe ka shumë mundësi të largohet, pas përfundimit të sezonit. Por Leverkuseni ende nuk ka marrë “dritën jeshile” nga Bajerni, pasi si trajneri Feliks Magath, ashtu edhe nënpresidenti Rumenige, kërkojnë ta mbajnë atë sërish në skuadër edhe në të ardhmen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›