E Shtunë, 31 Tetor 2026

Daja i 9-vjeçarit: Autorin e nxorën nga psikiatria për të përfituar lekët

Të tronditur nga ngjarja e rëndë, e ndodhur dy ditë më parë në fshatin Donofrosë të Beratit, kur 26-vjeçari Hysen Sylkaj qëlloi për vdekje një fëmijë të mitur, duke e goditur me shkop në pjesën e kokës, të gjithë banorët kanë drejtuar gishtin nga shteti për këtë ngjarje të shëmtuar. Një nga këta zëra kundër vendimit për nxjerrjen e tij nga spitali psikiatrik në Vlorë, ka qenë dhe babai i tij, Medin Sulkaj, i cili ka pranuar se ka qenë ai që ka kërkuar nxjerrjen e të birit nga spitali, por kjo nuk do të thotë, sipas tij, që një kërkesë e prindit të plotësohet nga përfaqësuesit e shtetit. “Mjekësia nuk duhet të nxjerrë njeriun që është i parregullt nga sistemi nervor. Ai nuk duhet të dalë nga spitali. Unë i them nxirre evlatin, i bëj lutje, i them nxirre. Por ligji nuk shkelet, duhet respektuar ky njeri, duhet mbajtur brenda”, ka deklaruar 69-vjeçari, i cili është përpjekur që t’i çojë ngushëllimet e tij familjes Dreka për vdekjen e djalit të tyre, Endritit. Edhe në momentin kur ai është shoqëruar në komisariatin e policisë së Beratit, mësohet se 26-vjeçari është shoqëruar edhe nga i ati, i cili ka qenë dhe personi që ka firmosur se do të ishte i zoti që të merrte përsipër mbajtjen e djalit të tij, edhe pse me probleme mendore, dhe që ishte një person i dhunshëm. Ndërsa gjatë deklarimit në polici, Medin Sulkaj ka deklaruar se djali i tij, Hyseni, është ngacmuar prej fëmijëve, prandaj dhe ka vepruar duke goditur ndaj tyre. Por të njëjtat burime saktësuan se pas pyetjes së dëshmitarëve, në vendin e ngjarjes dhe mbledhjes së informacioneve të nevojshme, deklarata e babait të autorit të ngjarjes ka rënë poshtë. Sipas tyre, 26-vjeçari Sylkaj ka dalë nga shtëpia e tij i egërsuar, si shkak i një grindjeje brenda familjes së tij dhe ka vepruar egërsisht ndaj vogëlushit. Edhe Flutura Xhixha, një e afërme e viktimës, ka deklaruar se djali i saj ka qenë duke luajtur me Endritin. “Por në një moment, ai erdhi drejt grumbullit të fëmijëve, ndërsa djali im iku, Endritit i kishte ngelur këmba në karrocë dhe nuk kishte mundur dot të ikte, prandaj dhe ai e ka qëlluar me një dërrasë në kokë, sa e la të vdekur”, ka pohuar ajo. Ndërsa më i ashpër ka qenë daja i viktimës, i cili ka pohuar se kërkon sa më shpejt drejtësi. “Dua drejtësi. Të përgjigjet babai i tij. Ai nënshkroi kur e tërhoqi nga spitali i Vlorës, ku Arseni, i sëmuri mendor, ishte i shtruar. Deklaroi se do të kujdesej për djalin e tij dhe se mbante përgjegjësi për çdo veprim të tij, ose të ndërhyjë shteti dhe të përgjigjet babai, ose unë do të kërkoj llogari deri në një”, thotë Altin Xhixha. Edhe të afërm të tjerë pohojnë të njëjtën gjë. Xhaxhai i vogëlushit, Rushit Dreka pohon se ka parë fëmijën me mjaft plagë në kokë, pasi ishte goditur egërsisht.

Po kështu, edhe një kushëri i nënës së fëmijës, Refit Xhaxha, daja i saj, përsërit apelin ndaj shtetit. “Nuk mund të lihen të sëmurët mendorë jashtë spitaleve, ata po marrin dhe jetë fëmijësh. Kush na e sjell sërish në jetë nipin tonë. Ndaj kërkojmë që shteti të ndërhyjë e të mos lejojë që njerëz të tillë familjet t’i nxjerrin nga spitalet, për të përfituar lekë si kujdestarë të tyre. Ata po marrin jetë njerëzish, ose të na thotë se iu gjejmë ne vendin për t’i izoluar, nëse shteti nuk ka ambient për ata”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›