E Diel, 1 Nëntor 2026

“Rozi-Rezi”, policia nuk gjen Zajminën dhe Ingrid Gjonin

SHKRUAN: Leonard Bakillari 01-04-2011 16:37

Tiranë- Prokuroria kërkon dëshmitë e Ingrid Gjonit dhe Zajmina Vasjarit, për sherrin e shumëdiskutuar mes Rozana Radit e Rezarta Shkurtës, por asnjëra prej këngëtareve nuk është gjetur nga policia. Sipas një korrespondence mes policisë dhe prokurorisë, këngëtarja Zajmina Vasjari nuk është më banore e lagjes së njohur “Komuna e Parisit”, ku e kishte adresën, por është zhvendosur në Unazën e Re, pranë një fabrike bojrash. Konstatimi është bërë tre ditë më parë nga agjentët e policisë, të cilët janë ngarkuar për të njoftuar këngëtaren Zajmina Vasjari, e cila është thirrur në prokurori për të dëshmuar rreth konfliktit që përfundoi në dhunë fizike mes kolegeve të saj, Rozana Radi dhe Rezarta Shkurta. Duke qenë se Vasjari mund të jetë një nga njerëzit që ka dijeni për këtë konflikt, prokuroria që po heton çështjen prej muajsh, ka vendosur të marrë dëshminë e saj. Bashkë me të, në prokurori është thirrur edhe këngëtarja tjetër e njohur, Ingrid Gjoni. Por çuditërisht, në të dyja rastet, asnjë prej këngëtareve nuk ka konfirmuar fletë-thirrjen e prokurorisë, e cila parashikonte datën 21 mars, si ditën kur dy këngëtaret duhet të jepnin shpjegime rreth çështjes që po heton Prokuroria e Tiranës. Pas mungesës së përgjigjes, prokuroria i ka kërkuar informacion zyrtar policisë së kryeqytetit, agjentë të së cilës kanë bërë verifikime në terren, por pa mundur të gjejnë dy VIP-at e muzikës dhe spektaklit shqiptar. Sipas raportimit që policia ka bërë për këtë çështje, rezulton se këngëtarja Ingrid Gjoni nuk është gjetur në adresën e saj zyrtare dhe për këtë fakt, agjenti i policisë ka firmosur një shkresë, ku konfirmohet kërkimi dhe mosgjetja e këngëtares. E njëjta procedurë është ndjekur edhe për këngëtaren tjetër, të thirrur si dëshmitare, Zajmina Vasjari, e cila sipas agjentit të policisë rezulton të ketë ndërruar vendbanim. Sipas të dhënave të siguruara, rezulton se Vasjari nuk banon më në lagjen “Komuna e Parisit”, por në adresën tjetër që është në “Unazën e Re”. Pas këtij fakti dhe përgjigjes zyrtare të policisë, ende nuk dihet cili do të jetë reagimi i akuzës, por është konfirmuar se dëshmitë e dy këngëtareve janë të rëndësishme për hetimin e sherrit mes Rozana Radit dhe Rezarta Shkurtës, i ndodhur në dhjetor të vitit të shkuar. Për këtë çështje, prokuroria ka regjistruar procedim penal, ndërsa priten dëshmitë e të njohurve dhe miqve të dy këngëtarëve, për të zbardhur të vërtetën e sherrit, që zanafillën e pati në spektaklin kosovar “Vip Shpia”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›