E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ylli Pinari, "spiuni" i prokurorisë

Prokuroria e Përgjithshme ka tentuar të bashkëpunojë me drejtuesin e "Meico"-s, kompanisë shtetërore të shitblerjeve të armëve, Ylli Pinari, për të zbardhur shpërthimin e fuqishëm në Gërdec që u mori jetën të paktën 28 personave. Hetues të çështjes i kanë bërë një vizitë në qeli Pinarit me qëllim për të treguar kontaktet me Mihal Delijorgjin, drejtuesin e firmës "Albademil", për mënyrën e kontraktimit. Burime konfidenciale nga akuza qendrore thanë se nëse Pinari pranon "ofertën" e hetuesve do të përfitojë lehtësira që i përmban ligji për bashkëpunëtorët e drejtësisë, ndërsa burimet zyrtare kanë mohuar një lëvizje të tillë. Nga të dhënat e para mësohet se hetuesit po tentojnë të mësojnë me tepër për shpërthimin e fuqishëm, sa municione ndodheshin në fabrikën e vdekjes, si paraqiteshin kushtet e sigurisë dhe fakte të tjera të dobishme për të bërë të mundur një verifikim sa më të plotë të tragjedisë. Burimet nga akuza thanë se po tentohet të mësohet edhe kontraktimet e firmave që kryenin demontimin dhe shitjen e armëve, nëse sasia e tyre ishte më tepër nga se përmbanin kontratat. Nga të dhënat e para rezulton se Pinari ka pranuar pjesërisht bashkëpunimin me drejtësisë, duke vendosur disa kushte. Gjithsesi, hetuesit e çështjes nuk japin informacione të mëtejshme dhe sqarojnë se për këtë çështje po punohet për identifikimin e përgjegjësve. Ata shpjegojnë se tentativa për të bërë bashkëpunëtor Ylli Pinarin mbështetet, pasi drejtuesi i "Meico"-s është një nga personat që ka më tepër dijeni për të gjithë armatimet që ndodheshin në Gërdec, si janë nënshkruar kontratat dhe përgjegjësit e Ministrisë së Mbrojtjes. Burimet thanë se nëse Pinari pranon të flasë, atëherë mund të ketë ndalime apo arrestime të tjera në lidhje me abuzimin me detyrën. Duket se hetimet kanë marrë një kthesë që nga momenti që dosja kaloi në Prokurorinë e Përgjithshme. Nga analizat e para që janë kryer përgjatë ditës së djeshme është arritur në konkluzionin se nuk bëhet fjalë për trafik armësh, por për falsifikim dokumentesh dhe kontrabandë, pasi kompania që tregtonte armë ishte shtetërore. Nisur nga të dhënat e lartpërmendura, akuza qendrore ka vendosur të mos e dërgojë dosjen në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, duke përjashtuar pistën e trafikut të armëve. Sipas të dhënave të para, hetuesit e çështjes kanë mbledhur informacione se në Gërdec mblidheshin municione të rënda, ripaketoheshin dhe më tej niseshin pa inventar për t‘u shitur, kryesisht në vatrat e luftës në të gjithë botën. Grupi hetimor që verifikoi trafikun e mundshëm të armëve u përqendrua në evidencat e daljeve të municioneve nga pikat doganore, kryesisht nëpërmjet Aeroportit të Rinasit dhe Portit të Durrësit. Gjatë ditëve të fundit, objekt hetimi janë bërë dokumentet dhe evidencat e transportimit të fishekëve, me kërkesë të "Meico"-s dhe me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm dërguar firmës "Albademil" për çmontime në Gërdec, pasi dyshohet se firma në fjalë i ka trafikuar një pjesë të tyre në vende të ndryshme të Lindjes. Sipas burimeve nga akuza, për këtë dyshim po kryhet verifikimi dhe ballafaqimi i dokumenteve të sekuestruara në Shtabin e Përgjithshëm, pranë zyrave të "Meico"-s, pranë doganave dhe firmës "Albademil". Duket se të dhënat e lartpërmendura kanë dalë në përfundimin se bëhet fjalë për kontrabandë dhe abuzim me ligjin. Kontrabanda do të verifikohet edhe në të njëjtën linjë me kasetën e bisedës midis drejtuesit të kompanisë amerikane AEY, Efraim Diveroli me Kosta Trebickën. Një kopje e saj, në formën audio, po zbardhet. Në ditët në vazhdim pritet të dëshmojë edhe Kosta Trebicka. Mësohet se prokurorët i kanë kërkuar biznesmenit shqiptaro-amerikan të mos deklarojë të dhënat në media, pasi do të prishte hetimet.

Kodi Penal

Kushtet e bashkëpunimit me drejtësinë

Personi nën hetim ose i pandehuri, që akuzohet për një krim të rëndë, të kryer në bashkëpunim, kur bashkëpunon me prokurorin dhe gjykatën, duhet të japë informacion të plotë dhe pa asnjë rezervë ose kusht për të gjitha faktet, ngjarjet dhe rrethanat, që shërbejnë si prova vendimtare për zbulimin, hetimin, gjykimin dhe parandalimin e krimeve të rënda dhe riparimin e dëmeve të shkaktuara prej tyre. Për dënimin e tij zbatohen rregullat e përcaktuara në nenin 28 të Kodit Penal.

Kushtet e bashkëpunimit caktohen në marrëveshjen e mbrojtjes, të hartuar sipas dispozitave të posaçme ligjore për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë. Kur marrëveshja e bashkëpunimit realizohet gjatë gjykimit, gjykata që shqyrton çështjen vendos uljen e masës së dënimit ose përjashtimin nga dënimi, sipas nenit 28 të Kodit Penal. Kur bashkëpunimi realizohet gjatë ekzekutimit të vendimit të dënimit, bashkëpunëtori i drejtësisë mund të kërkojë nga gjykata që e ka dënuar ose nga ajo e vendit të ekzekutimit ndryshimin e dënimit të dhënë. Gjykata vendos pasi merr edhe mendimin e prokurorit.

Kushti

Nuk sekuestrohen pronat e Pinarit

Një nga kushtet e prokurorisë për Ylli Pinarin që të bashkëpunojë me drejtësinë është mos-sekuestrimi i pronave në zotërim të tij. Mësohet se familja Pinari ka dhjetëra prona në Tiranë e rrethe, të cilat janë verifikuar nga hetuesit e çështjes. Gjithsesi, organet e hetimet deklarojnë se Pinari ka përgjegjësi direkte për tragjedinë, pasi firma "Albademil" me administrator Mihal Delijorgjin kishte nën administrim së bashku me kompaninë shtetërore "Meico", fabrikën që demontonte municione luftarake në fshatin Gërdec të Bashkisë së Vorës, ku si pasojë e shpërthimit më 15 mars 2008 në këtë fabrikë humbën jetën rreth 28 persona, ndërsa mbetën të plagosur 300 të tjerë. Shpërthimi i fuqishëm shkaktoi gjithashtu edhe shumë dëme materiale në banesat dhe pronat e banorëve të zonës. Pas kësaj ngjarjeje, forcat e policisë me urdhër të Prokurorisë së Tiranës arrestuan administratorin e firmës "Albademil", Mihal Delijorgji, drejtorin teknik të kësaj firme, Dritan Minxholi, si dhe drejtorin e kompanisë "Meico", Ylli Pinari, me akuzën e "shkeljes së rregullave të sigurisë për lëndët plasëse djegëse dhe radioaktive".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›