KLSH: Ministritë që kanë abuzuar në 2007
Institucionet e Administratës Publike shpërdorojnë 500 milionë lekë të buxhetit të shtetit. Departamenti i kontrollit të institucioneve të administratës publike ka evidentuar për vitin 2007 shkelje me dëm ekonomik, që kapin vlerën e 500 milionë lekëve. Gjatë vitit që kaloi, ky departament pranë Kontrollit të Lartë të shtetit, ka ushtruar gjithsej 27 kontrolle. Katër ministri të kabinetit "Berisha" kanë abuzuar me detyrën duke keqpërdorur 79 milionë lekë nga buxheti i shtetit. Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministria e Punëve të Jashtme dhe ajo e Arsimit janë katër departamentet më të larta shtetërore të cilat kanë abuzuar me detyrën. Raporti mbi veprimtarinë e Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2007 ka vërtetuar se në Ministrinë e Shëndetësisë janë keqpërdorur 37 milionë lekë si pasojë e tatimit të pandalur për shpërblimet e dhëna që kapin vlerën e 4 milionë lekëve. Një tjetër abuzim i bërë në Ministrinë e Shëndetësisë është dhënia e shpërblimeve nga të ardhurat dytësore në kundërshtim me dispozitat ligjore, që kapin vlerën e 16 milionë lekëve. KLSH raporton se Ministria e Shëndetësisë ka kryer pagesa për shpenzime operative, pa mbështetjen ligjore që kap vlerën e 1.5 milionë lekëve. Vërejtje për ministrinë e drejtuar nga kreu i PDK-së, Nard Ndoka, edhe për shkelje të procedurave të prokurimit publik për rikonstruksionin e objekteve shëndetësore për blerjen e barnave mjekësore, por edhe për shkarkimin nga inventari pa dokumente justifikuese. Ministria e Shëndetësisë kryeson rastin e abuzimeve në krahasim me ministritë e tjera të kabinetit "Berisha". E dyta që pason ministrinë e Ndokës për abuzime vjen ministria e Ylli Pangos. 31 milionë lekë është vlera e abuzimeve të kryera në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Shpërdorimi i këtyre të ardhurave në Ministrinë e Kulturës ka ardhur si pasojë e pagesave për shpenzimet operative, të cilat janë dhënë në kundërshtim me dispozitat ligjore. Në po këtë ministri janë vërejtur shkelje të procedurave të prokurimit publik për rikonstruksionin dhe rehabilitimin e objekteve në vlerën 30 milionë lekë. Ministra e Punëve të Jashtme është dikasteri i radhës ku janë evidentuar shkelje nga KLSH-ja. 16 milionë lekë është dëmi që kjo ministri i ka kushtuar buxhetit të shtetit për vitin 2007. Moslikuidimi i detyrave doganore, dhënia e shpërblimeve nga të ardhurat konsullore në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe shkelja e procedurave ligjore në fushën e prokurimeve ka bërë që Ministria e Jashtme të dëmtojë buxhetin e shtetit kundrejt vlerës 16 milionë. Kryesisht abuzimet e ministrive kanë qenë në sektorin e prokurimeve publike, ndërkohë që këto shërbime me një vendim të Këshillit të Ministrave do të administrohen vetëm nga një ministri, e cila është Ministria e Brendshme. Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka dëmtuar buxhetin e shtetit, ku vlera e shkeljeve financiare për këtë dikaster shkon në 5 milionë lekë. Këto shpërdorime kanë ardhur si pasojë e pagesave të paligjshme për udhëtime dhe dieta dhe shkelje të procedurave ligjore në fushën e prokurimeve publike.