E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spahiu, ndëshkim kush cenoi ligjin

Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, ka paralajmëruar furtunë në Gjykatën e Durrësit dhe të Tiranës për dosjen "Delijorgji". Në një prononcim për mediat, Spahiu tha se KLD-ja ka filluar një kontroll të vendimeve për çështjet "Delijorgji" të ndjekura nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe Apelit Ushtarak në Durrës në procesin e mëparshëm gjyqësor, ku priten masa ndëshkimore. Në skanerin e inspektorëve është edhe regjistrimi i firmës "Albademil" në Gjykatën e Tiranës. Spahiu ka lënë të kuptohet se gjyqtarët që kanë kryesuar apo kanë qenë anëtarë në këto procese do të verifikohen dhe nëse rezultojnë fajtorë priten ndëshkime të rënda.

Ndërkohë, nga inspektimet e djeshme në gjykatën e kryeqytetit ka rezultuar se firma "Albademil" me pronar Mihal Delijorgjin, i arrestuar si një nga shkaktarët e tragjedisë së Gërdecit, shiste armë pa licencë. Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka vijuar me kontrollin për mënyrën e regjistrimit të firmës së Delijorgjit. Pas sekuestrimit të dosjes së regjistrimit është konstatuar se "gjykata i ka dhënë të drejtën "Albademil" për të eksportuar armë të të gjitha llojeve në dhjetor të vitit 2006, para miratimit të ligjit për armët". Përpos këtyre fakteve, inspektorët e KLD-së kanë konstatuar në Gjykatën e Tiranës nuk është gjetur ndonjë e dhënë që firma "Albademil" të ketë licencë për tregtinë e municioneve luftarake. Burimet thanë se verifikimet janë në zhvillim e sipër dhe inspektorati i KLD-së pritet të përgatisë ditët e ardhshme raportin përfundimtar të këtij inspektimi. Skandali me gjykatat shqiptare, sipas KLD-së, daton më herët se qershori i 2007 kur u prodhua edhe kontrata e kompanisë amerikane SAC me firmën "Meico" për demontimin e municioneve. Gjykatat shqiptare duhet të regjistrojnë një biznes vetëm nëse plotësohen kushtet ligjore për kryerjen e një aktiviteti po të ligjshëm. Por ndryshe ka ndodhur me firmën e Delijorgjit, "Albademil". Gjykatat shqiptare i kanë dhënë të drejtën e "Albademil" për të eksportuar armë të të gjitha llojeve në dhjetor të 2006, pra pak muaj para miratimit të ligjit për eksportin e armëve nga privatët. Firmës "Albademil" iu dha e drejta ligjore e ushtrimit të një aktiviteti që atë kohë ishte i paligjshëm. Pak muaj para regjistrimit në gjykatë, pra në prill të 2007, Parlamenti miraton Ligjin 9707 që u njeh të drejtën privatëve, por vetëm nën mbikëqyrjen e autoritetit shtetëror të kontrollit të eksporteve të armëve të kontrollojnë këtë aktivitet. "Albademil" e kishte fituar këtë të drejtë që në dhjetor të 2006-ës. Në këtë kohë në fuqi ishte ende ligji i 1991-it, i cili i njihte të drejtën e eksportit të armëve vetëm kompanisë shtetërore, "Meico". Faktet janë mbledhur nga inspektorët, ndërsa pritet që gjyqtari që vendosi regjistrimin e firmës së Mihal Delijorgjit të shkarkohet. Masat ndëshkimore mund të shkojnë deri në procedimin penal ndaj personave që kanë shkelur ligjin.

Në lidhje me akuzat e organeve tatimore për kompanitë e Mihal Delijorgjit për shmangie taksash, Gjykata e Lartë tha dje se kjo çështje pritet të kalojë në Dhomën e Këshillimit për të dalë më pas në një vendim për shqyrtimin e saj. Rekursi i prokurorisë është bërë pasi Gjykata e Apelit Durrës vendosi shpalljen të pafajshëm të biznesmenit Mihal Delijorgji për veprën penale të evazionit fiskal. Biznesmeni i hekurit, Mihal Delijorgji, u mor i pandehur në vitin 2004 nga Prokuroria e Durrësit me akuzat "falsifikim dokumentesh" dhe "evazion fiskal". Në kuadër të këtij procesi, ai u arrestua nga policia për t‘u lënë më pas nën hetim në gjendje të lirë në këmbim të garancisë pasurore. Dosja në ngarkim të tij i kaloi për shqyrtim Gjykatës së Durrësit, e cila në përfundim të procesit e shpalli të pafajshëm atë për veprën e falsifikimit, ndërsa e dënoi me gjobë për "evazion fiskal". Delijorgji apeloi vendimin e shkallës së parë dhe u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Apelit Durrës. Nisur nga kjo, prokuroria ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›