Dajti, 6 vjet i fshehur, përdori dhjetë identitete
Trazhgim Sokolaj
Autori i masakrës së Durrësit, Dritan Dajti, ka përdorur të paktën dhjetë identitete të ndryshme gjatë kohës së qëndrimit në kërkim pas arratisjes nga Gjykata e Tiranës. Vrasësi i katër policëve të Sektorit të Operacioneve Speciale për gjashtë vite me radhë ka mundur t’i shpëtojë arrestimit falë një kujdesi maksimal, por edhe “dredhive” për t’i ikur policisë. Ai u arrestua më 7 gusht 2009 në Durrës, pasi ekzekutoi me armë oficerët e policisë Kastriot Feska, Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari dhe Altin Dizdari. Pas arrestimit në makinën e tij u gjet një dokument identifikimi si punonjës policie me emrin Agron Zeneli, që mbante gradën nënkomisar në policinë e Korçës. Verifikimet dhe ekspertimi mbi këtë dokument, treguan se ai ishte prodhuar jashtë sistemit të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, me anë të falsifikimit. Dajtit iu gjet në makinën e tij edhe një patentë ndërkombëtare italiane, në të cilën kishte vendosur fotografinë, por jo emrin e tij. Sipas burimeve nga policia, edhe në patentë Dajti kishte përdorur një tjetër emër, me qëllim për t’i shpëtuar ndjekjes apo zbulimit të policisë. Prokuroria dhe policia kanë bërë disa kontrolle banesash në shtëpitë ku ka qëndruar Dajti. Dy apartamente në pronësi të tij në Tiranë si dhe banesa në Durrës, ku strehohej Dajti kohët e fundit, janë bastisur disa herë. Aty nuk është arritur të gjenden pasaporta të përdorura nga i kërkuari. I akuzuari për vrasjen e 4-fishtë të policëve, mësohet se mund të ketë përdorur disa pasaporta gjatë lëvizjeve ndërkombëtare, të cilat i ka asgjësuar pasi ka mbaruar punë me to, duke i përdorur në pikat e kalimit kufitar ku nuk është arritur të zbulohet. Zhdukja e pasaportave dyshohet se është bërë nga vetë Dajti, pasi zbulimi i tyre në rast arrestimi mund të ndihmonte policinë në gjetjen e lëvizjeve të tij jashtë vendit. Burime zyrtare nga hetimi thonë se janë bërë kontrolle të imtësishme në dy makinat e Dajtit si dhe në banesat e tij në Tiranë dhe Durrës, por nuk është gjetur asnjë pasaportë. Nga ana tjetër policia ka informacione operative që tregojnë se i kërkuari ka kryer disa lëvizje ndërkombëtare gjatë viteve të qëndrimit “person në kërkim” pas arratisjes nga gjykata e Tiranës. Por përtej dyshimeve të policisë, asgjë më shumë nuk është arritur në drejtim të hetimit të lëvizjeve që mund të ketë bërë Dajti jashtë vendit. Dokumentimi i tyre mësohet se i ka interesuar grupit të hetimit për dy arsye: e para për të dokumentuar aktivitetin e tij, pasi dyshohet se ka lëvizur për çështje trafiqesh të paligjshme, dhe e dyta: për të hetuar mundësinë e favorizimit apo “tolerimit” të lëvizjeve të tij edhe pse ishte person në kërkim. Pas masakrës së Durrësit, policia pretendon se ka gjetur të dhëna që flasin për disa udhëtime të personit të kërkuar në Spanjë gjatë viteve të fundit.