E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, i vdiq gruaja në aksident, vetëhelmohet me mbidozë ilaçesh

 

KORÇE - I vdes gruaja një vit më parë në aksident, vetëhelmohet burri. Agim Spaho, 60 vjeç, i dha fund jetës, duke marrë mbidozë ilaçesh, pasi e mundonte humbja e së shoqes. Ngjarja ndodhi në fshatin Belorta, rreth 6 km larg qytetit të Korçës. Sipas policisë së qarkut, Spaho ka konsumuar një sasi të konsiderueshme qetësuesish e medikamentesh mjekësore, gjë që i mundësoi që në gjendje gjumi të ndërronte jetë. Viktima, i cili kishte dy fëmijë të rritur, një vit më parë kishte humbur bashkëshorten në një aksident automobilistik. Drejtues i mjetit kishte qenë vetë burri, kur është përplasur teksa zbriste nga zona e Liqenasit në Fushën e Korçës. Bashkëshortja mori goditjen e parë që e çoi në çast drejt vdekjes. Agimi, sipas familjarëve gjatë këtij viti e ka përjetuar me shumë dhimbje këtë ngjarje. Shpesh u thoshte se do të kishte qenë shumë më mirë që të kishte vdekur ai në vend të së shoqes. As dy djemtë e tij të rritur nuk arritën ta ngushëllonin. Ai e vuante shumë vdekjen e së shoqes dhe ndoshta ka qenë ky shkaku që e shtyu të ndërmerrte aktin e vetëvrasjes. Familjarët kanë bërë të ditur se ka përdorur gjithë ilaçet e tensionit që kishte marrë për një muaj, por edhe valiumet që kishte blerë për të vrarë pagjumësinë. Në mëngjes, familjarët e tij e kanë gjetur të pajetë.                           j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›