Dajti batuta teksa votoi në burg: Përfitova, bëra kartën e identitetit falas
Tiranë- Jeta pas hekurave nuk i ka ndaluar mijëra të paraburgosur dhe të burgosur në mbarë vendin të shprehim vullnetin e tyre me votë. Të gjithë ata kanë votuar në qendra votimi të ndërtuara brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit dhe të paraburgimit.
Gazeta Panorama ndoqi dje procesin e votimit në paraburgimin Jordan Misja, i njohur edhe si Paraburgimi 313 në Tiranë. Mes temperaturës së nxehtë që mbushte korridoret e këtij institucioni, plot 320 të dënuar dhe të paraburgosur u bënë pjesë e procesit të votimit. Qendra e votimit ishte improvizuar në katin e dytë të ndërtesës, në një ambient që në ditët e zakonshme është biblioteka e këtij institucioni dhe mbante numrin 1967/1. Procesi nisi rreth orës 08:15.
Me një mirëkuptim për tu pasur zili, anëtarët e komisionit të votimit mundësuan një proces krejtësisht të qetë nga fillimi deri në përfundim të tij, në orën 16:30. Votuesit u përcollën drejt qendrës së votimit të grupuar sipas sektorëve të tyre të qëndrimit. Rreth 60 prej tyre, të cilët nuk e kishin emrin në listë, u paraqitën para komisionit me vendimet e Gjykatës së Tiranës që u jepte leje për të votuar. Gjatë procesit, vota e fshehtë nuk mbeti e tillë për disa. Kjo për shkak se ata nuk ngurruan të futeshin në qendrën e votimit duke shfaqur simbole të partive, apo duke e shprehur me zë të lartë shifrën që shënjuan në qendrën e votimit. Po ashtu, rreth 3-4 veta kishin veshur bluza sportive me mbishkrim shifrën 44. Procesi i votimit në Paraburgimin 313 u përmbyll me votimin e të vetmit sektor femrash në këtë institucion.
BATUTAT E DAJTIT
Ndryshe nga hija e rëndë që reflekton në sallën e gjyqit në procesin e tij te Krimet e Rënda, Dritan Dajti u shfaq dje plot batuta humori në qendrën e votimit në Paraburgimit 313 në Tiranë. Për arsye sigurie, i paraburgosuri Dajti u lejua të votojë në përfundim të të gjithë të paraburgosurve të tjerë në të njëjtin institucion. I vetmi i paraburgosur i njëkohshëm me Dajtin në qendrën e votimit ishte Ilir Xhakja, i akuzuar për vrasjen e kryekomisarit të Shijakut, Adem Tahiraj.
I pari nga të dy që u afrua te komisioni ishte Dajti. Pasi përshëndeti të pranishmit, Dajti u afrua së pari tek anëtari i komisionit, i cili vendoste shenjën në gisht. Nga tia filloj unë tashi?, tha Dajti, dhe direkt më pas lëshoi një batutë në lidhje me radhën në votim. Në dijeninë time, jam pas grave, tha Dajti. Ndërkohë, një nga punonjësit e paraburgimit i tha se sektori i femrave do të votonte pas tij. I njëjti e informoi se ai dhe Xhakja ishin të fundit që votonin nga meshkujt. Domethënë ne jemi qershia mbi tortë, tha Dajti. I akuzuari për vrasjen e katër punonjësve të Policisë vazhdoi me batuta edhe pas këtij momenti. Teksa mori fletën e votimit, ai tha me humor se nuk dinte të shkruante dhe të lexonte.
Duke iu drejtuar komisionit, ai tha: A mund të më ndihmojë i paraburgosuri Xhakja?. Në vijim Dajti kaloi për pak çaste në dhomën e fshehtë e më pas hodhi votën në kutinë e votimi. Duke qëndruar para kësaj të fundit, Dajti tha: Ta hedh kështu me ngadalë, si ata burrat në televizor. Batutat e Dajtit nuk ndaluan as jashtë qendrës së votimit. I pyetur nga gazeta, ai nuk pranoi të komentonte për votën, por tha me humor se nga këto zgjedhje pati një fitim. Kam edhe një fitim, tha Dajti, më bënë kartën e identitetit pa lekë, duke iu referuar aplikimit për kartë identiteti brenda ambienteve të paraburgimit.
Burimi: Panorama