E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dajtit i shtohet akuzë për vrasje

 

Trazhgim Sokolaj

Prokuroria i ka njoftuar akuzën Dritan Dajtit për ngjarjen e ndodhur më 7 gusht 2009 në Durrës, ku ai pandehet për vrasjen e katër agjentëve të policisë dhe tentativën e vrasjes së një personi të pestë. Burime nga burgu ku po mbahet i arrestuari, pohojnë se një grup hetimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i njoftoi Dritan Dajtit akuzat “vrasje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës, ndaj katër oficerëve të policisë”, vrasje të mbetur në tentativë ndaj një 17-vjeçari që ndodhej në vendin ku i kërkuari u përplas me policinë dhe “armëmbajtje pa leje”. Në të njëjtën kohë kunatit të Dajtit, shtetasit Erges Xhoxhi i është komunikuar akuza “përkrahje e autorit të krimit” dhe falsifikim i stampave, vulave dhe dokumenteve zyrtare, në rastin e një dokumenti të rremë që mbante Dritan Dajti si punonjës policie si dhe për dokumentet e makinës tip “Wolkswagen Tuareg” me të cilën lëvizte i kërkuari. Asnjëri nga të pandehurit mësohet se nuk i ka pranuar akuzat.
Akuza e re për Dajtin
I dyshuari Dritan Dajti deri më tani ka qenë nën akuzë për vrasjen e katër efektivave të policisë, ndërsa në njoftimin e fundit të veprave penale që i adresohen, prokuroria ka shtuar atë të plagosjes së një 17-vjeçari, i cili është ndodhur në vendin e ngjarjes kur ndodhi masakra. Ky person mësohet se është goditur nga plumbat e armës së Dritan Dajtit në kohën kur ai po qëllonte në drejtim të agjentëve të policisë. I riu është dërguar atë ditë në spital, por më pas është zhdukur pa gjurmë. Policia e kërkoi për ti marrë një dëshmi mbi ngjarjen, por u mësua se ai ishte tërhequr nga spitali prej të afërmve, të cilët nuk dhanë adresë. Në adresë të Dritan Dajtit janë ngritur akuzat për vrasje për shkak të cilësive të veçanta ndaj agjentëve të policisë Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feska dhe Sajmir Duçkollari. Mesditën e 7 gushtit 2009 rreth orës 13:30 këta agjentë të mbështetur edhe nga rreth 13 efektiva të tjerë organizuan në zonën e plazhit në Durrës aksionin për kapjen e Dritan Dajtit. Ky i fundit iu përgjigj ndërhyrjes me armë, duke shkaktuar masakrën ndërsa policia qëlloi ndaj tij, duke e plagosur me tre plumba. I kërkuari u arrestua pak minuta pas përplasjes me policinë ndërsa për disa muaj u mbajt në spitalin e burgjeve për shkak të dëmtimeve të marra nga tre plumba.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›