Familjet e pastreha në Bulqizë, bashkia qira xhamisë
BULQIZE - Prej janarit të këtij viti, 15 familje të Bulqizës janë strehuar në xhaminë e këtij qyteti. Shembja e një pallati në qytetin e Ri të Bulqizës la pa strehë dhjetëra banorë të ardhur nga zonat rurale të këtij rrethi. Që asokohe u premtua strehimi i tyre në ish-kompleksin e minierës, një pallat ky në qytetin e Bulqizës. Drejtori i emergjencave civile dhe zyrtarë të lartë të qeverisë garantuan familjarët se do të çelnin fondin për rikonstruksionin e këtij pallati, madje u tha publikisht se do të investoheshin 25 milionë lekë. Kanë kaluar afro 11 muaj nga ngjarja e pazakontë dhe çështja e strehimit të këtyre familjeve nuk është zgjidhur. Kryetari i kësaj bashkie, Roland Keta sqaroi për “Panorama” se muaj më parë Agjencia e Prokurimeve Publike shpalli tenderin e rehabilitimit të kompleksit, që do të shërbente si strehë për këta familjarë. Është shpallur madje dhe firma fituese që do të merrej me adaptimin e mjediseve të pallatit për apartamente banimi për 15 familjet. Sipas kryetarit të bashkisë, për arsye që nuk bëhen publike APP e ka anuluar çeljen e fondit të premtuar, ndërkohë Këshilli Bashkiak dhe më pastaj prefektura Dibër kanë miratuar dhënien e një fondi për qira për xhaminë e qytetit. Mësohet se 15 familjet e mbetura në mëshirë të fatit trajtohen me ndihmë të plotë ekonomike nga bashkia Bulqizë. h.p