Sherr në Këshillin Bashkiak,punëtorët: S’na japin pagat
PATOS/ MAJLINDA rama
Këshilli Bashkiak i Patosit përfshihet nga sherri masiv. Një debat i nisur për shkak të mocionit të mosbesimit për kreun e Këshillit ka përfunduar me shpërthimin e dyerve ku zhvillohej mbledhja. Këtë veprim e kanë ndërmarrë rreth 80 punëtorë të pastrim-gjelbërimit, të cilët nuk janë paguar prej 6 muajsh. Punëtorët kanë reaguar dhunshëm, pasi mësuan faktin se këshilltarët nuk e kishin në rend të ditës miratimin e fondit të pagave për ta, duke e anashkaluar bashkë me pika të tjera. Procedura normale në mbledhjen e Këshillit Bashkiak u ndërpre papritur, kur këshilltarët e djathtë paraqitën dje nocionin e mosbesimit për Maksim Gogën, kreun socialist të këtij këtij Këshilli. “Ne e ndërpremë mbledhjen për shkak se nuk u ra dakord për një pikë të veçantë: Këshilltarët e djathtë kërkuan mocion mosbesimi ndaj meje, gjë që ndeshi në debate të ashpra dhe nga të gjithë u ra dakord që nëse nuk mbahej qetësi mbledhja nuk mund të vazhdonte. Mirëpo ndërprerja e mbledhjes sonë irritoi punonjësit e gjelbërimit, të cilët prisnin që sot të kalonin pagat e tyre. Të paduruar dhe të lodhur nga realiteti, punonjësit bënë këtë që bënë, hynë në sallë për të kërkuar vazhdimin e mbledhjes dhe miratimin e pikës që u jepte atyre të drejtën e përfitimit të pagesave mujore”, pohoi kreu i Këshillit Bashkiak, Maksim Goga. Vetë punonjësit kanë debatuar ashpër me këshilltarët, pasi ata pretendojnë se nuk kanë marrë pagat që u takojnë për 6 muaj me radhë dhe e gjithë kjo, sipas tyre ka ardhur për faktin e vetëm të mosmiratimit të fondit përkatës nga ana e Këshillit Bashkiak.
Këto pretendime kanë çuar në debate dhe konfrontime të ashpra, saqë goditjet mes këshilltarëve dhe punonjësve janë evituar për fare pak. Duke parë situatën e krijuar është kërkuar ndërhyrja e uniformave blu, të cilat janë futur në sallën e bashkisë dhe kanë nxjerrë prej saj punonjësit. Pas largimit nga mbledhja e Këshillit Bashkiak, punonjësit vijuan protestat dhe jashtë mbledhjes. Ndonëse mbledhja vazhdoi dhe më vonë, palët u përplasën për kreun e Këshillit Bashkiak, duke sjellë dështimin e plotë të saj.