E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Zgjidhja, opozita të mos dalë jashtë institucioneve

 

Ministri i Jashtëm, Ilir Meta i bëri sërish thirrje opozitës të heqë dorë nga bojkoti dhe të rikthehet në Parlament. Duke folur nga Brukseli ku mori pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s, kreu i diplomacisë shqiptare tha se “zgjidhja është që opozita të heqë dorë nga kokëfortësia e saj për të zhvlerësuar sistemin kushtetues të vendit dhe duhet pa asnjë diskutim të mos kthehet në një pengesë për integrimin e vendit, të qytetarëve tanë, pasi të gjithë qytetarët shqiptarë pavarësisht për cilën forcë kanë votuar, dëshirojnë që sa më shpejt të liberalizohen vizat më Bashkimin Evropian dhe sa më shpejt të afrohet dita e Shqipërisë në BE”. Sipas tij “qeveria do bëjë çdo gjë, absolutisht në këtë drejtim, do të vazhdojë të jetë e hapur. Natyrisht që qeveria s’mund të fusë me pahir opozitën në Parlament, por nëse opozita ka zgjedhur si rrugë të dalë nga institucionet, pastaj kjo është një çështje pa asnjë diskutim që tregon për një opozitë që s’ka prioritet integrimin evropian të Shqipërisë që është një prioritet kombëtar”. Meta mori pjesë në takimin e Komisionit NATO-Ukrainë, në takimin e Komisionit NATO-Gjeorgji, si dhe në mbledhjen informale të Këshillit kushtuar Bosnje-Hercegovinës dhe Malit të Zi. “Ne kemi përkrahur atë strategji të shpallur nga Presidenti i SHBA-ve Barak Obama, për të stabilizuar situatën në Afganistan në mënyrë që misioni ndërkombëtar i sigurisë të jetë i suksesshëm, në këtë mënyrë ne kemi konfirmuar shtimin e pjesëmarrjes sonë me 85 trupa, përveç kontingjenteve që kemi ne Afganistan, si dhe angazhimin përsa i takon ndërtimit dhe rehabilitimit të shkollave dhe 100 bursa për të rinjtë afganë për të studiuar në vendin tonë”, theksoi Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›