E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imami dekoron Zhulalin e Abaz Kupin

 

adi shkembi

Në 97 vjetorin e krijimit të forcave të armatosura, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami dekoron ish ministrin Safet Zhulali. Në një ceremoni të zhvilluar në ambientet e ministrisë, Imami i dha medaljen (pas vdekjes) Zhulalit, i cili ka mbajtur këtë post në qeverinë e parë të PD nga 1992 deri në trazirat e vitit 1997. Me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste, ai la detyrën, ndërkohë që Prokuroria e Përgjithshme ngriti ndaj tij akuzën për krime kundër njerëzimit së bashku me pesë ish zyrtarë të tjerë të lartë të Partisë Demokratike, akuzë që rezultoi e paprovuar dhe politike. Familjes së Safet Zhulalit iu dha medalja “Për Shërbime të Shquara” me motivacion: “Për kontribut të shquar, si Ministër i parë i Mbrojtjes në periudhën e ndryshimeve demokratike të vendit, në reformimin, ristrukturimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura”. E kontaktuar nga gazeta “Panorama”, vajza e ish ministrit të Mbrojtjes, Ilda Zhulali, vlerësoi iniciativën e ministrit Arben Imami. “Është një vlerësim shumë i madh dhe ka një dykuptimësi dhe simbolikë, është një vlerësim për punën e tij dhe kontribut për reformimin e Forcat e Armatosura. Ai ka drejtuar Ministrinë e Mbrojtjes, në një kohë shumë të vështirë për vendin. Kjo medalje jepet në kohën kur përvjetori i krijimit të Forcave të Armatosura festohet kur ne tashmë jemi një vend anëtar i NATO-s. Ky ka qenë një projekt për të cilin Zhulali punoi dhe besoi deri në fund. Tashmë ai u bë realitet”, tha vajza e ish ministrit të Mbrojtjes.
Dekorimet
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami dekoroi dje (pas vdekjes), Abaz Kupin, me medaljen “Për Shërbime të Shquara” me motivacion: “Për merita të shquara në ngritjen e formacioneve luftarake nacionaliste dhe organizimin e qëndresës kundër pushtuesve fashistë”. Gjatë ceremonisë së djeshme u dekorua edhe Mehmet Pashë Dërralla, me motivacion: “Për merita të shquara si personalitet ushtarak, themelues i Ushtrisë Kombëtare Shqiptare dhe si Ministër i parë i Luftës i Shtetit Shqiptar”. Imami i dha medaljen gjithashtu edhe Mujo Ulqinakut (pas vdekjes), “Për Shërbime të Shquara” me motivacion: “Për trimëri dhe vetëmohim gjatë qëndresës për mbrojtjen e vendit nga pushtuesit fashistë”. Në Universitetin Ushtarak “Skënderbej” u zhvillua dje edhe ceremonia për 4 dhjetorin, dita e ushtrisë shqiptare. Në fjalën e tij, Presidenti Bamir Topi, në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, u shpreh se “Forcat tona të Armatosura duhet të jenë krenare, sepse arritën, për një kohë të shkurtër, të përmbushin detyrimet dhe angazhimet sa në planin e reformimit të brendshëm aq edhe në atë të ngritjes së cilësisë dhe profesionalizmit të tyre. Ato përfaqësuan më së miri dëshirën dhe aspiratën e popullit shqiptar për t’u integruar në NATO dhe garantuan suksesin e këtij anëtarësimi”. Ndërsa Ministri i Mbrojtjes, Imami tha se “Do të shtohet kontributi ynë dhe do të rritet niveli operacional i pjesëmarrjes sonë krahë për krahë me aleatët tanë në Afganistan. Ata kontribuojnë për sigurinë dhe ne do të kontribuojmë për sigurinë e përbashkët”.

Të dekoruarit

• Gjeneral Mehmet Pashë Dërralla
• Gjeneral Ali Riza Kolonja
• Gjeneral Ismail Haki Tatzati
• Gjeneral Xhemal Aranitasi
• Kapter Mujo Ulqinaku
• Major Abaz Kupi
• Kolonel Muharrem Bajraktari
• Gjeneral Major Dali Ndreu
• Safet Zhulali
• Nënkolonel Hamit Bali
• Kapiten Kamber Sejdini
• Kapiten Islam Radovicka

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›