E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia, aksion sekret për skafet në portin e Orikumit

 

VLORE – Aksion i befasishëm në portin e jahteve në Orikum të Vlorës. Policia e Vlorës, forca të Ndërhyrjes së Shpejtë, prokurorë dhe qen antidrogë kanë qenë pjesë e operacionit në orët e para të ditës së djeshme. Ndonëse ky operacion është mbajtur sekret, burime të policisë pohojnë se qëllimi ishte verifikimi i dokumentacionit të mjeteve lundruese, në kuadër të moratoriumit antiskaf. Në këtë port jahtesh janë vendosur skafe të llojeve, pjesa më e madhe e të cilëve janë në pronësi të biznesmenëve të ndryshëm, shqiptarë dhe të huaj. Grupi i cili merrte pjesë në aksion ka kontrolluar me qentë antidrogë në brendësi të skafeve. Megjithëse burime të rezervuara pohojnë se lidhet me dokumentacionin, prania e qenve antidrogë mendohet se ka qenë për shkak të dyshimeve për drogë që kanë pasur pjesëmarrësit në këtë operacion. Në këtë aksion të prokurorisë, forcave speciale dhe forcave të antidrogës nuk është lejuar afrimi i mediave. Mësohet se në pyetje janë marrë të gjithë prokurorët e punonjësit e portit të jahteve si dhe rojet e portit, të cilët janë pyetur për pronësinë e mjeteve, mënyrën e lëvizjes së tyre në det, kush ka lundruar në to, destinacionet, etj. Kontrolli mësohet se ka vazhduar deri në orët e mbrëmjes, megjithatë, policia nuk ka dhënë ndonjë informacion për rezultatet e tij. Mësohet se në shënjestër të aksionit janë bërë rreth 40 skafe, të cilat ankorohen në Portin e Jahteve të ndërtuar në Orikum. Ligji antiskaf u aprovua në vitin 2006, por ndonëse përfundimi ishte caktuar pas 3 vitesh, afati u shty sërish.                       q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›