E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dako debate me peshkatarët për vendin e portit

 
Bashkia organizon një forum për të diskutuar mbi temën më të ndjeshme të momentit për qytetin bregdetar
 
 
Aleks Kalemasi
 Durrës - Debate të ashpra janë zhvilluar dje në takimin që Bashkia e Durrësit kishte organizuar me specialistë të fushave të ndryshme për portin e ri të peshkimit. Debati është zhvilluar në njërën nga sallat e pallatit të kulturës dhe në të, përveç specialistëve, kanë marrë pjesë edhe shumë peshkatarë të interesuar. Për shkak të vendit të vogël, zyrtarët e bashkisë nuk kanë lejuar hyrjen në sallë të të gjithë peshkatarëve, por ata kanë këmbëngulur që të jenë të pranishëm dhe një pjesë e tyre kanë hyrë brenda me forcë. Në debat kanë qenë të pranishëm tre drejtuesit e pushtetit vendor: kryetari i bashkisë, Vangjush Dako, prefekti Genci Alizoti dhe kryetari i Këshillit të Qarkut, Seid Kërtusha. Të pranishëm kanë qenë edhe zëvendësministri i Mjedisit, Aleksandër Garuli, si dhe deputetët Osman Metalla i PD-së dhe Blendi Klosi, Hazir Gashi dhe Klodiana Spahiu të PS-së. Kryebashkiaku Dako në hapje të debatit ka deklaruar se bashkia është kundër ndërtimit të portit pranë shëtitores “Taulantia”, sepse ai e shkatërron këtë shëtitore dhe do të sjellë ndotje të lartë të mjedisit, trafik të rënduar dhe erë të keqe për të gjithë zonën. Pas Dakos ka replikuar deputeti Osman Metalla, i cili ka deklaruar se argumentet e kryetarit të bashkisë nuk qëndrojnë, sepse projekti që është hartuar për portin e ri është shumë i mirë dhe janë parashikuar çdo gjë në detaje, që të mos ketë ndotje dhe as trafik të rënduar. Metalla tha se porti i ri i peshkimit duhet të bëhet sa më parë edhe në kuadër të kodit ISPS, pasi porti detar i Durrësit tashmë është një port i sigurt dhe Forca e Sigurisë Portuale e ngritur në kuadër të kodit ISPS, duhet të menaxhojë të gjithë territorin pa sektorin e peshkimit brenda. Në debat janë përfshirë edhe pronarë të anijeve të peshkimit dhe Organizatës së Menaxhim Peshkimit, të cilët kanë fajësuar kryetarin e bashkisë se nuk e do zhvillimin e qytetit, kërkon që ata të jenë me atë port peshkimi në gjendje të degraduar etj. Dako nga ana e tij ka theksuar se flota aktuale e peshkimit është e degraduar dhe vendosja e saj në portin e ri që propozohet në pjesën perëndimore të portit aktual, do të mbysë qytetin nga era e keqe dhe ndotja tepër e lartë.
Akuza të ndërsjella dhe ofendime ka pasur në mjaft raste, aq sa është dashur ndërhyrja e Policisë Bashkiake dhe të Rendit, që kanë nxjerrë nga salla disa nga peshkatarët e pranishëm. Përfaqësuesit e Ministrisë së Mjedisit kanë theksuar se, në rast se porti nuk ndërtohet në atë vend ku bëhet propozimi, fondi prej 15 milionë dollarësh digjet dhe do të duhen shumë vite të tjerë që të diskutohet dhe hartohet projekti nga e para.
Kryebashkiaku Dako është kundërpërgjigjur, duke deklaruar se hartimi nga e para e projektit dhe studimi i fizibilitetit nuk do më shumë se 3-4 muaj punë, ndërsa fondi prej 15 milionë dollarësh i dhënë nga Banka Islamike, është kredi me interesa të ulët që mund të sigurohet nga organizma të tjera ndërkombëtare. Takimi ka përfunduar me debate dhe pikëpamje të ndryshme, që janë përqendruar tashmë në pro dhe kundër ndërtimit të portit të ri të peshkimit në afërsi të shëtitores “Taulantia”. Të dyja palët duket se nuk do të lëshojnë pe, ndërkohë që ngërçi nuk pritet të zgjidhet as në mbledhjen e afërt të KRRT-së së bashkisë. Kjo e fundit nuk ka njoftuar se kur do të jetë mbledhja e radhës e KRRT-së, në të cilën shumica e anëtarëve të saj janë dakord që të miratohet leja e sheshit të ndërtimit për këtë port.
 
 
Elbasan
 
 
196 apartamente me kredi të butë,
listat shqyrtohen nga komisionet
 
Elbasan - Listat e aplikuesve për të përfituar nga strehimi nëpërmjet kredisë së lehtësuar, pasi është informatizuar nga Zyra e Strehimit, ka kaluar pranë komisioneve në bashki, ku do të shqyrtohen dhe në bazë të kriterit pagë do të bëhen skualifikimet e para për të vazhduar fazën e plotësimit të dokumenteve. Burime të bashkisë bëjnë të ditur se procesi sapo ka filluar, pasi janë rreth 3 mijë kërkesa të plotësuara, por në bazë të kritereve të vendosura, sidomos për kriterin pagë, do të bëhen edhe pastrimet e para të listave. Në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave, bazuar edhe në të ardhurat e vendosura për frymë për çdo qytet, është përcaktuar dhe sasia e të ardhurave që duhet të ketë për të përfituar nga ky program strehimi. Brenda këtyre ditëve pritet që Komisioni i Punëve Publike dhe Komisioni i Ligjeve në Bashkinë e Elbasanit do të shqyrtojnë të gjithë dokumentacionin. Pasi të vendoset kualifikimi i atyre që plotësojnë kriterin bazë, kalohet në fazën e plotësimit të dokumenteve. Plotësimi i dokumenteve do të mbyllet në një afat të përcaktuar. Pas kësaj faze, komisionet do të mblidhen sërish, këtë herë për shqyrtimin e dokumentacionit dhe kualifikimin e ri. Pas këtij kualifikimi me bazë dokumentacionin, familjet përfituese do të verifikohen. Faza e verifikimit do të sjellë përfundimin e listës në Këshillin Bashkiak, ku do të kalojë për miratim. Por nuk përfundon këtu, pasi dosjet do të depozitohen pranë Bankës Kombëtare Tregtare, me të cilën është lidhur marrëveshja me shtetin, dhe do të kryhet edhe një verifikim tjetër kualifikues. Pasi të jenë verifikuar pagat dhe fuqia paguese e çdo familjeje përfituese, kredia miratohet. Qytetarët do të duhet të paguajnë 5 për qindtë vlerës dhe të depozitojnë hipotekën e apartamentit që do të blejnë në tregun e lirë.
Banesat sociale
Njëkohësisht me procesin e blerjes së 190 apartamenteve në tregun e lirë, do të vazhdojë ndërtimi i 96 apartamenteve sociale nga bashkia, që do të shërbejnë për të gjitha ato familje që kanë të ardhura minimale. Kështu, pasi të jenë kualifikuar ata që plotësojnë kriterin pagë dhe kriteret e tjera të vendosura për blerjen e një apartamenti me kredi të butë, do të analizohen edhe rastet kur familjet kanë të ardhura minimale dhe kushte të këqija jetese. Këto familje do të përfitojnë strehim, sigurisht pasi të kenë plotësuar kritere të veçanta të miratuara nga bashkia. Fondi për ndërtimin e apartamenteve është përfituar nga Bashkia Elbasan nëpërmjet Bankës Botërore. Për këto apartamente qytetarët do të paguajnë qira të ulët, kundrejt bashkisë që është edhe enti pronar.
Marsela Kalaja
 
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›