E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehen reshjet, trashësia e dëborës arrin në 25 cm

 
Shërbimi sinoptik thotë se në zonat e thella termometri ka shënuar -14 gradë celsius, ndërsa në zonat e ulëta ai ka shënuar -10
 
 
Flutura Tota
Kukës - Reshjet e dendura të dëborës janë rikthyer në të gjithë territorin e Qarkut të Kukësit. Për pasojë, mjaft rrugë janë bllokuar dhe shumë të tjera shfaqin probleme, për shkak të ngricave dhe trashësisë së reshjeve. Drejtuesit e rrugëve kanë rinisur hedhjen e kripës dhe skories për mbajtjen hapur rrugët dhe policia po pengon drejtuesit e automjeteve të lëvizin pa zinxhirë. Dita e enjte ka rikthyer reshjet e dendura të dëborës për të gjithë Qarkun e Kukësit. Trashësia e tyre ka variuar nga 15 deri në 25 cm dhe temperaturat kanë vijuar të ulen. Shërbimi Sinoptik i Forcave Ajrore ka deklaruar se ndryshe nga sa ishte parashikuar, reshjet kanë qenë më të dendura, sidomos në zonat e thella malore. Mustaf Kaculi, shef i këtij shërbimi në Kukës, thotë se dëbora do të bjerë edhe gjatë ditëve të ardhshme. Po kështu, edhe temperaturat do të vijojnë në të njëjtat vlera minimale negative. “Sot kanë rënë reshjet në të gjithë qarkun dhe temperaturat kanë qenë të ulëta. Në zonat e thella malore ato kanë arritur në 25 cm, për shkak të relievit të thyer, ndërsa në zonat fushore në 15 cm. Temperaturat kanë qenë më të ndjeshme, pasi kanë vazhduar në të njëjtat nivele, pra nën zero. Në zonat e thella, termometri ka shënuar minus 14 gradë celsius, ndërsa në zonat e ulëta ai ka shënuar minus 10 gradë. Mund të them se e njëjta gjendje do e shoqërojë rajonin verilindor edhe gjatë ditëve të tjera”, shprehet kështu Kaculi. Ndërkohë, dëbora, e cila ka rinisur gjatë natës së të martës, ka sjellë mjaft probleme në rrugët nacionale, por sidomos në ato rurale. Sa i takon rrugës kombëtare Kukës-Qafë-Shllak, aty është dashur detyrimisht të rikthehet kripa, skoria dhe të punojnë borëpastrueset, pasi për ndryshe qarkullimi mund të bllokohet. “Gjatë gjithë paradites dhe pasdites ne kemi hedhur kripë dhe skorie nëpër të gjithë aksin. Këtë e kemi bërë, me qëllim që rruga të jetë e kalueshme për të gjithë automjetet. Për momentin nuk ka shumë probleme nëpër aks, por nëse reshjet do të bien me këtë intensitet, do të na sjellin mjaft vështirësi. Borëpastrueset po punojnë, por ne kërkojmë bashkëpunimin e gjithë hallkave të tjera shtetërore, me qëllim që situata të mbahet nën kontroll”, ka deklaruar kështu drejtori Rajonal i Rrugëve, Rushit Gashi. Në këtë rrugë problemet kanë nisur që natën e kaluar, ku dëbora e rënë ka sjellë probleme për përshkimin e saj. Një pasagjer, i cili ka udhëtuar me një fugon të linjës Kukës-Tiranë, thotë se bora ka mbuluar shtresat e akullit, të cilat ishin krijuar në ditët e kaluara. Kjo gjë, sipas tij, ka vështirësuar ecjen në aks. “Kur mbrëmë erdhëm nga Qafën e Malit dhe Qafë-Shllak, pamë se dëbora kishte qenë më e dendur atje. Por problemi qëndronte në faktin se në trase ishin mbuluar shtresat e akullit dhe shoferi nuk mund të shihte mirë se ku ishte drejtimi i duhur. Me këtë dua të them se po s’pate zinxhirë, nga momenti në moment mund të bësh aksident. E sa për temperaturat, atje dihet se kuota minus 15 grada nuk lëviz”, shprehet kështu pasagjeri. Ndërsa sa i takon rrugës Kukës-Shishtavec, atje janë dërguar mjetet borëpastruese të njërës prej firmave që kanë fituar tenderin për pastrimin e dëborës. Sipas informacioneve, dëbora është shumë e dendur dhe se po bëhen të gjitha përpjekjet që ajo të mbahet nën kontroll. Një drejtues mjeti thotë se hëpërhë rruga mbetet e hapur, pavarësisht problemeve që hasen, sidomos në kthesat e saj. Nëse bora do të bjerë kështu, ka shumë gjasa që komunat e zonës të izolohen dhe të mos komunikojnë fare me qendrën, Kukësin”, thotë ky shofer. Akset e tjera, Kukës-Krumë, Kukës-Bushtrice, Kukës-Peshkopi, Krumë-Qafë-Prush, Fierzë-Bajram Curri janë të hapura, por largimi i borës prej tyre ka kërkuar qëndrimin pandërprerje të borëpastrueseve në to. Veç kësaj, edhe kripa dhe skoria kanë qenë të detyrueshme për t’u hedhur në mënyrë të vazhdueshme. Bora ka bllokuar rrugët rurale të komunave Grykë-çajë, Kalis, Zapod, Arrën, Topojan, Surroj etj., për të cilat ndërhyrja është e vështirë, si rezultat i relievit të thyer dhe amortizimit të tyre.
 
 
 
Kukës
 
Mungon energjia, OSSH
ua vë fajin defekteve
 
Kukës - Mungesa e energjisë elektrike ka përfshirë zona të ndryshme të qarkut, duke përfshirë edhe qytetin e Kukësit. Paradite kufizimet kanë qenë edhe më të theksuara, ku kanë prekur konsumatorë të shumtë në numër. Megjithatë, burime pranë Drejtorisë Zonale të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes thonë se kjo ka ardhur, për shkak të disa defekteve të krijuara në linjat e transmetimit. Për riparimin e tyre janë dërguar drejt shtyllave të dëmtuara grupet e avarive, të cilat më pas e kanë rikthyer energjinë për konsumatorët. Shtabi i emergjencave ndërkohë nuk ka raportuar për ndonjë rast emergjent në popullatë sa i takon gjendjes shëndetësore apo disponimit të bazës ushqimore për njerëzit apo bagëtitë. Burime pranë tij thonë se situata po ndiqet nga të gjithë anëtarët e tij në terren. “Jam tani në Qafë-Shllak dhe mund të deklaroj se ka disa probleme të vogla, por rruga është e hapur. Drejtoria e Rrugëve po pastron dëborën dhe ajo vazhdon të jetë e hapur, edhe pse për t’u përshkuar mbetet pak e vështirë. Nëse drejtuesit e mjeteve kanë zinxhirë në rrugë lëvizet”, shprehet kështu sekretari i Përgjithshëm i Institucionit të Prefektit, Rexhep Cena. Policia e Kukësit ndërkohë ka nxjerrë nëpër të gjithë akset rrugore patrulla për të penguar hyrjen në të të automjeteve të rënda, si dhe të tjerave që nuk disponojnë zinxhirë.
 
 
 
Rikthehet i ftohti
 
Dëbora bllokon disa
komuna në veri të vendit
 
Pukë - Reshje bore e temperatura të ulëta në veriun e vendit, Puka, Bulqiza e Peshkopia janë mbuluar nga bora që në orët e para të mëngjesit, ndërkohë që disa komuna janë të bllokuara, ndërsa akset kalohen me vështirësi. Në Rrethin e Pukës, komuna Iballë vazhdon të jetë e bllokuar prej dy ditësh.
Reshjet e borës kanë vështirësuar qarkullimin e mjeteve në rrugët që përshkojnë veriun e vendit. Policia e Pukës ka urdhëruar bllokimin e qarkullimit për mjetet e tonazhit të lartë në segmentin Qafë-Mali-Kukës dhe Qafë-Mali-Bajram Curri. Vështirësi të lëvizjes paraqiten edhe në segmentin Pukë-Fushë-Arrëz, si edhe Fushë-Arrëz - Qafë-Mali.
Lëvizja e mjeteve të vogla bëhet e mundur vetëm me zinxhirë në segmentet e lartpërmendura. Segmenti rrugor Kryezi - Qafë-Mali, vazhdon të mbetet i bllokuar, ndërsa banorët e zonave të izoluara bëjnë me dije se askush nuk po ndërhyn për zhbllokimin e rrugës. Aktualisht, firmat sipërmarrëse për mirëmbajtjen e rrugëve po bëjnë pastrimin dhe kriposjen e segmenteve, por reshjet që vazhdojnë të bien, e bëjnë qarkullimin e mjeteve të vështirë. Reshje bore dhe temperatura të ulëta janë regjistruar edhe në Bulqizë e Peshkopi.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›