E Diel, 1 Nëntor 2026

Dako dhe Spahiu, shpërndajnë dhurata në shtëpinë e foshnjës në Durrës

Me rastin e festës së fëmijëve të 1 Qershorit, kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka zhvilluar një vizitë në shtëpinë e foshnjës në Durrës. Në këtë vizitë kryebashkiaku shoqërohej nga kandidatja për deputete e PS të Durrësit Klodiana Spahiu. Dako së bashku me Spahiun i kanë shpërndarë dhurata të shumta fëmijëve jetimë në shenjë dashurie dhe përkrahje për këtë kategori fëmijësh që kanë nevojë më shumë se kushdo për mbështetje. Në këtë qendër trajtohen 45 fëmijë, 20 prej të cilëve rezidencialë dhe 25 ditorë. Kjo shtëpi e foshnjës që asistohet nga Bashkia e Durrësit trajton fëmijë nga 0 deri në 10 vjeç. Kryebashkiaku Dako dhe kandidatja Spahiu kanë festuar së bashku me fëmijët në një atmosferë të bukur të krijuar nga programi artistik i organizuar nga vetë fëmijët e kësaj shtëpie. Pas këtij programi, kryebashkiaku Dako i ka premtuar fëmijëve që trajtohen aty se ata janë gjithmonë në vëmendje të Bashkisë e cila ka një sërë projektesh për zhvillimin dhe integrimin e tyre në shoqërinë shqiptare dhe se ndihma kësaj kategorie fëmijësh nuk do ti mungojë asnjëherë. Nga ana e saj si nënë e njëkohësisht si mjeke kandidatja socialiste për deputete, Klodiana Spahiu, u shpreh se qeveria e  re socialiste do të jetë shumë pranë këtyre fëmijëve të cilëve nuk do tu mungojë asnjëherë mbështetja për shëndetin dhe arsimimin e tyre në ndihmë të integrimit sa më të mirë të këtyre fëmijëve në shoqërinë shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›