E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama- Berishës: Karrigia e deputetit të duhet ty, kur të jesh në opozitë

Kryesocialisti vendos tu përgjigjet thirrjeve të kryeministrit Berisha, për përfshirjen e tij në listat e kandidatëve për deputet. Me ironinë e tij karakterizuese, Rama i drejtohet Berishës se karrigia e deputetit mund ti duhet vetë atij, kur të gjendet në opozitë. Sali Berisha më bën thirrje të bëj trimërinë që të fus emrin të parin në listën e deputetëve dhe ti braktis qytetarët e Tiranës. Por unë i them kryeplakut të politikës së vjetër se karrigia e deputetit mund ti duhet atij që do të jetë në opozitë, ndërsa mua nuk më duhet një mandat për të ndenjur ulur, po një mandat për të qenë në këmbë, në krye të transformimit të madh, në çdo qytet e fshat, ku do ta çoj qeverinë pas 28 qershorit, ku do të punoj bashkë me njerëzit për të realizuar programin që shkruam së bashku gjatë Dialogut me Shqipërinë, është shprehur kreu i PS, gjatë turit të tij elektoral në Durrës. Duke numëruar ditët që kanë mbetur nga zgjedhjet parlamentare, kreu i PS ka theksuar se kanë mbetur vetëm 27 ditë nga ndarja me të shkuarën! Sipas tij, pas këtyre 27 ditëve, me udhëheqjen e së majtës, shqiptarët do të kenë një jetë më të mirë dhe problemet e tyre do të zgjidhen. Edhe 27 ditë për të inauguruar rrugën e politikës së re në qeverisje, për tu dhënë fëmijëve të varfër librat e shkollës falas, për tu dhënë të moshuarve respektin që meritojnë, për tu dhënë mësuesve e mjekëve shtetin në krah dhe për të shkruar bashkë me ta një faqe të re në historinë e arsimit e të shëndetësisë shqiptare, për tu dhënë sipërmarrësve lirinë që u mungon dhe piedestalin që u takon njësoj si artistëve e sportistëve, për tu dhënë rrethinave të Tiranës, Durrësit e të të gjithë qyteteve të mëdha, të gjithë të ardhurve që jetojnë në mjerimin e zonave informale, politikën e re të integrimit urban, ka premtuar Rama gjatë takimit të tij me banorë të Durrësit. Më tej ai u ka apeluar se shqiptarët meritojnë më shumë sesa të njëjtën luftë të vjetër gjelash që kacafyten me njëri-tjetrin. Sot shqiptarët meritojnë më shumë sesa një politikan që fiton mbi një tjetër politikan në garën e ulët të denigrimit mes njëri-tjetrit. Mjaft 18 vjet me garën e shëmtuar të përbaltjes së njëri-tjetrit në dëm të të gjithëve. Është koha e betejave të reja për idetë e zhvillimit e të integrimit tonë në botën e re ku meritojnë të jetojnë fëmijët tanë. Sot shqiptarët meritojnë më shumë sesa thjesht një tjetër ndryshim të qeverisë nga një krah në tjetrin. Mjaft 18 vjet me ndryshimet e qeverive që ndryshojnë vetëm qimen po jo zakonet e këqija të pushtetit që në 18 vjet u ka dhënë shqiptarëve vetëm shfaqjen bajate të pazarit të vjetër politik të interesave të vogla, ka vijuar kreu i PS duke bërë thirrje se tashmë është koha e një ndryshimi radikal, koha e një ndarjeje të prerë, koha e një kapërcimi të madh, për ti dhënë fund të vjetrës në pushtet dhe për ti dhënë jetë një pushteti të së resë. Sipas tij, sot shqiptarët meritojnë një politikë që të ketë zemër për të ndjerë dhimbjet e tyre, veshë për të dëgjuar shqetësimet e tyre, sy për të parë ëndrrat e tyre, vizion, forcë e këmbëngulje për ti hapur rrugë shpresave të tyre, pasion e vullnet për të shkruar bashkë me ta një faqe të re në historinë e Shqipërisë. E duke premtuar se do të jetë pikërisht ai që do tu sjellë shqiptarëve një politikë të re, ka kërkuar më tej votën e durrsakëvë dhe jo vetëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›