Vritet me armë 36-vjeçari pas sherrit me fqinjin
Një 36-vjeçar u ekzekutua me armë nga fqinji i tij pas një grindjeje. Ngjarja ndodhi ditën e djeshme në rrethin e Kukësit. Sipas burimeve nga policia, viktima është Dëfrim Kepi, lindur e banues në fshatin Cinamakë. Ai u qëllua disa herë me automatik duke gjetur vdekjen. Autori i ngjarjes është 65-vjeçari Sali Leka. Uniformat blu shkuan në vendngjarje ku kryen më pas edhe arrestimin e autorit të kësaj vrasjeje. Ai u shoqërua në komisariat, ku është pyetur nga grupi hetimor në lidhje me ngjarjen.
Rreth orës 15:00 të ditës së djeshme, forcat e komisariat të policisë në Kukës kanë marrë një informacion në lidhje me të shtëna armësh në fshatin Cinamakë të Kukësit. Menjëherë ata kanë shkuar në vendngjarje, ku kanë gjetur trupin e pajetë të një personi. Nga hetimet e kryera nga grupi hetimor rezultoi se viktima ishte 36-vjeçari Dëfrim Kepi. Ai ishte goditur me kallashnikov në trup, duke gjetur vdekjen si pasojë e plagëve të rënda të marra. Policia mori në pyetje familjarët si dhe dëshmitarët e tjerë, ndërkohë që identifikoi autorin e ngjarjes. Menjëherë u organizuan forcat për arrestimin e tij. Sipas burimeve zyrtare, autori i krimit është 65-vjeçari Sali Leka. Ai u ndalua pas tri orë kërkimesh nga policia, ndërsa po përpiqej t’i shmangej arrestimit. Sipas burimeve nga policia, babai i tre fëmijëve është qëlluar me armë pas një sherri të çastit me autorin e krimit. Por sipas policisë, të dy kishin pasur edhe më parë konflikt midis tyre. Shkak i mosmarrëveshjeve ka qenë një sherr i nisur më parë për një rrugë kalimi. Duket se të dyja palët nuk e kishin zgjidhur një çështje të tillë, e cila përfundoi në vrasjen e 36-vjeçarit. Policia shoqëroi autorin e krimit në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit. Ai akuzohet për kryerjen e veprës penale të vrasjes.